COVID-19/ SHBA rimburson shpenzimet e funeraleve
Duke nisur nga e hëna, qytetarët amerikanë mund të aplikojnë për rimbursimin e shpenzimeve për funeralet e familjarëve që u shuan për shkak të koronavirusit të ri. Qeveria amerikane do shpërndajë deri 9 mijë dollarë për viktimë nëse në certifikatën e vdekjes shkruhet si shkak COVID-19.
Amerikanët që kanë humbur familjarët nga Covidi-19, do të rimbursohen nga shteti për shpenzimet e funeralit.
Agjencia federale për Menaxhimin e Emergjencave ka njoftuar se familjet që kanë humbur një person të dashur nga 20 janari i vitit 2020 mund të marrin deri 9 mijë dollarë, dhe shifra mund të arrijë në 35 mijë dollarë në rast fatkeqësish të shumëfishta brenda familjes.
Hari Kloz, pronari i një agjencie funerali në qytetin Baltimorë të Merilendit takon deri 85 familje çdo ditë për t’i informuar mbi skemën.
“Nëse në certifikatën e vdekjes nuk shkruhet COVID-19, familjarët nuk përfitojnë. Pagesa nuk i zëvendëson të dashurit e tyre, por u heq një barrë dhe u siguron diçka për të ecur përpara.”
Amerika mban vendin e parë në botë për jetët e humbura nga pandemia, me mbi 560 mijë të tilla.
Ndaj, janë të shumta familjet amerikane që pritet të aplikojnë për rimbursimin nga qeveria.
“E zbut disi hidhërimin tonë prej ikjes së babit. Ndihmon edhe nënën time me financat.”
“Kur ke raste vdekjesh, shpenzimet janë të mëdha. Pastaj asnjëherë nuk i dihet. As unë nuk e prisja që bashkëshorti do më ikte për dy javë.”
Rimbursimi për qytetarët amerikanë është parashikuar të realizohet në bazë të dy paketave stimuluese me vlerë mbi 4 trilionë dollarë të miratuara nga Kongresi për pandeminë, prej vitit të shkuar.