Covid-19 ul kërkesën, çmimi i naftës pëson rënie drastike

Frika se tregu i hidrokarbureve pritet të kalojë një stinë të vështirë prej pandemisë po ndikon në uljen e vlerës së arit të zi.

Mëngjesin e së enjtes, çmimi i naftës bruto “Brent” zbriti në nivelin 39 dollarë fuçia apo 32 për qind më ulët nga viti në vit, ndërsa nafta e standardit amerikan u vlerësua me 37 dollarë, niveli më i ulët në tri javë dhe më shumë se 6 për qind zbritje në harkun ditor.

Zhvillimet në bursa pasuan njoftimet e dy ekonomive më të mëdha të Europës, të Francës që për 1 muaj me radhë do lejojë qarkullimin e qytetarëve vetëm për arsye pune ose shëndetësore, ndërsa Gjermania do mundohet ta përmbajë valën e dytë të koronavirusit në vend duke ndërprerë fillimisht disa nga aktivitetet e saj ekonomike dhe kulturore.

Në uljen e çmimit të naftës ndikoi edhe informacioni se në magazinat amerikane është shtuar trefish mbi parashikimet stoku i naftës bruto të pashfrytëzuar.

Situata vetëm pritet të përkeqësohet me rinisjen me kapacitet të plotë të prodhimit në uzinat që tani e kanë pushuar punën për shkak të uraganeve që po përshkojnë jugun e SHBA-së.

Të përballur me këto rrethana, ekspertët parashikojnë që Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës do vazhdojë ta limitojë nxjerrjen e hidrokarbureve pasi kërkesa për to pritet të mbetet e ulët deri në tremujorin e vitit të ardhshëm.

Nafta bruto në botë është zhvlerësuar me rreth 40 për qind në një vit.

Megjithatë, kompania “Shell” njoftoi të enjten të ardhura më të larta sesa pritej për tremujorin e tretë, rreth 955 milionë dollarë nga rreth 4,8 miliardë dollarë një vit më parë.

Ky zhvillim pozitiv shtyu gjigantin britaniko-holandez të naftës ta rritë sërish dividendin që u kishte shkurtuar aksionerëve të vet gjashtë muaj më parë në mesin e krizës epidemike.

SHKARKO APP