Danimarka “jo” kuotave për ndarjen e 160 mijë refugjatëve

Danimarka nuk do të marrë pjesë në skemën për të ndarë 160 mijë refugjatë, plan ky që u propozua nga shefi i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker.

Ashtu sikurse edhe Britania e Madhe edhe qeveria e Kopenhagenit ka bërë rezistencë për pranimin e refugjatëve, për shkak të politikave strikte që vendi ka për çështjen e emigracionit.

Për Inger Stojberg, ministren daneze të Punës, deri tani vendi ka marrë një numër të caktuar refugjatësh, çka sipas saj e ka plotësuar normën.

Por sikurse raporton “Washington Post”, mikëpritja aspak e ngrohtë e azilantëve në Danimarkë, i ka detyruar këta të fundit të tërheqin mbrapsht dokumentacionin për regjistrimin e tyre.

Ndonëse Danimarka është një shtet me standart të lartë jetese, si dhe njëkohësisht shquhet si vend social, duket se paska dhe një tjetër anë të saj, e cila ka detyruar qindra sirianë të largohen sa më shpejt të jetë e mundur prej aty.

Shumica e tyre kanë nisur në këmbë maratonën drejt shteteve fqinje.

Ky fakt është pasqyruar edhe në disa gazeta libaneze që mbanin titullin: “Mos shkoni në Danimarkë!”.

Shumica e refugjatëve kërkojnë të shkojnë në Suedi, pasi aty kanë një pjesë tjetër të familjeve të tyre.

Kopenhageni deri tani është kryeqyteti që ka pranuar më shumë azilantë nga të gjithë shtetet e Europës.

Por kjo duket se ka ndikuar edhe në marrëdhëniet e Danimarkës me Suedinë, ku ministri suedez i Drejtësisë u shpreh se, nuk është e drejtë sjellja e danezëve me refugjatët, pasi ata si shtet me mirëqënie të lartë sipas tij, e kanë kapacitetin për të përballuar një numër të lartë azilantësh.

Por sipas “Washington Post”, politika e qeverisë së Kopenhagenit për çështjet e emigracionit ka qënë gjithmonë strikte, ku në krahasim me shtetet e tjera të unionit, nuk janë të shumtë personat që i është dhënë mundësia për të ndërtuar jetën atje./Top Channel

 

SHKARKO APP