DASH: Nuk detyrojmë europianët për të zgjedhur mes Kinës dhe SHBA
Administrata e re amerikane nuk po i detyron partnerët evropianë që të zgjedhin në mes të Kinës dhe SHBA-së, thuhet në një përgjigje të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH) për Radion Evropa e Lirë, lidhur me nismën kineze 17+1.
Kjo nismë ka për qëllim promovimin e marrëdhënieve të biznesit dhe investimeve midis Kinës dhe vendeve të ish-bllokut komunist të Evropës Qendrore dhe Lindore. Takimi i nëntë tradicional i kësaj nisme është mbajtur më 9 shkurt, në formë virtuale, për shkak të pandemisë.
“Ne e dimë që partnerët tanë evropianë kanë interesat e tyre dhe raportet e tyre dhe ne nuk po i detyrojmë ata që të zgjedhin në mes të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.
Pjesë e nismës kineze janë Shqipëria, Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia, Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Greqia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia.
Nga Departamenti i Shtetit thonë se administrata Biden-Harris është e përkushtuar që të thellojë dialogun dhe bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët tanë mbi çështjen e Kinës, duke filluar në Evropë.
“Ne jemi duke u angazhuar me ta lidhur me interesat dhe fushat tona të përbashkëta për një veprim të përbashkët. Megjithatë, ne vazhdojmë të jemi të brengosur për faktin që Kina shpesh po përdorë si mjet organizatat multilaterale për të avancuar interesat e saja ekonomike, të sigurisë nacionale dhe të politikës së jashtme në kurriz të paqes dhe prosperitetit të shteteve të tjera si dhe në kurriz të respektimit të të drejtave të njeriut dhe në rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, shton DASH.
Ndryshe, ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një letre dërguar tetorin e kaluar kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, i kishte bërë thirrje që të largohej nga nisma e Kinës, 17+1.