David Cameron ka zhvilluar vizitën e tij të parë të punës në Ukrainë
Cameron përsëriti mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Ukrainën, duke premtuar mbështetje morale, diplomatike dhe “mbi të gjitha ushtarake për… sado kohë që duhet”.
Zelensky e uroi Cameron për postin e tij të ri dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar.
Cameron u bë sekretar i jashtëm në një riorganizim të kabinetit ditën e hënë i cili çoi në shkarkimin e Braverman.
“Kjo është shumë e rëndësishme, veçanërisht tani, kur bota po i kushton vëmendje jo vetëm situatës në fushën e betejës në Ukrainë, dhe ndarja e fokusit me të vërtetë nuk ndihmon”, tha presidenti ukrainas, duke aluduar për Lindjen e Mesme.
“Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur të Ukrainës nga Mbretëria e Bashkuar. Ne jemi mirënjohës për pritjen e ngrohtë të qytetarëve ukrainas në MB. Dhe ne jemi të lumtur që keni ardhur në Ukrainë,” tha ai.
Zelensky postoi një video të shkurtër të takimit në mediat sociale, gjatë së cilës Cameron dëgjohet duke thënë se “Doja që kjo të ishte vizita ime e parë”.
“Ajo që dua të them duke qenë këtu është se ne do të vazhdojmë t’ju japim mbështetjen morale, mbështetjen diplomatike dhe mbështetjen ekonomike dhe mbi të gjitha mbështetjen ushtarake që ju nevojitet jo vetëm këtë vit dhe vitin e ardhshëm, por sado kohë që të duhet. ”, tha Cameron.
Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se dyshja diskutuan, prodhimin e armëve dhe sigurinë në Detin e Zi.
Në një deklaratë pas takimit, Cameron u shpeh: “Me afrimin e dimrit, ne vazhdojmë të qëndrojmë me popullin ukrainas ndërsa ata i rezistojnë pushtimit të paligjshëm të Putinit. Në tre muajt e fundit, ata e kanë shtyrë Rusinë prapa në Detin e Zi.”
Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Ukrainës me miliarda paund ndihmë ushtarake që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkurt 2022.
Donacionet e pajisjeve ushtarake kanë përfshirë një numër tankesh ‘Challenger 2’ dhe ‘raketa’ me rreze të gjatë veprimi, dhe dhjetëra mijëra rekrutë ukrainas janë trajnuar nga ushtria britanike në tokën e Mbretërisë së Bashkuar.