Debati për Brexit sërish në parlament, sot votimi
Parlamenti britanik planifikohet sot që të votojë për daljen e vendit nga Bashkimi Europian pa një marrëveshje.
Votimi vjen pas disfatës së dytë radhazi që qeveria e kryeministres Tereza Mej pësoi mbrëmjen e së martës, kur 391 ligjvënës votuan për rrëzimin e paktit të propozuar prej saj për Brexit, kundrejt 242 që votuan në favor.
Një pjesë e konsiderueshme e konservatorëve në pushtet iu bashkuan opozitës laburiste, duke u shprehur se marrëveshja nuk sqaronte për sa kohë vendi do u nënshtrohej rregullave europiane të tregtisë, si pasojë e qëndrimit të provincës angleze të Irlandës së Veriut në bllokun europian.
Në reagimin e tij, kryenegociatori europian, Mishel Barnie, tha se BE ka bërë gjithçka për të zgjidhur ngërçin rreth Brexit dhe se tani u mbetet deputetëve britanikë të përgatiten për një Brexit pa marrëveshje.
Menjëherë pas seancës, në parlament u parashtruan dy amendamente të ndryshme që do të debatohen e më tej njëri prej tyre pritet të hidhet në votim mbrëmjen e sotme.
Amendamenti i parë i propozuar nga deputetët konservatorë dhe unionistët e Irlandës së Veriut parasheh zgjatjen e bisedimeve për Brexit deri në datën 22 maj, ose një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në BE.
Ndërsa amendamenti i dytë parashikon përjashtimin njëherë e përgjithmonë të opcionit të daljes nga unioni europian pa një marrëveshje-kornizë.
KOHA JONË SONDAZH

