Deklarata e Papës për Armeninë, Turqia tërheq ambasadorin nga Vatikani

Komentet e Papa Françeskut në 100-vjetorin e vrasjeve masive të armenëve nuk janë pritur mirë nga Turqia që vetëm 24 orë më vendosi të tërheqë ambasadorin e saj nga Vatikani, siç tha, për konsultime.  Gjatë meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit të dielën, Ati i Shenjtë e cilësoi masakrimin 1.5 milionë armenëve si "gjenocidin e parë të shekullit të 20-të". Kryeministri turk Ahmet Davutoglu u shpreh se kjo deklaratë i ka ndërlikuar marrëdhëniet mes Kishës Katolike dhe Turqisë, çka u pa qartë me largimin e ambasadorit Mehmet Paçaçi.

-“Ne presim që udhëheqësit fetarë të bëjnë thirrje për paqe dhe të shmangin islamofobinë. Deklaratat e Papës janë një keqinterpretim dhe keqlexim i historisë, duke njohur dhimbjen e një grupi dhe duke mospërfillur atë të të tjerëve. Kjo deklaratë i hap rrugën shtimit të racizmit në Europë dhe akuzon myslimanët dhe turqit për një krim kolektiv. Momenti kur bëhet kjo deklaratë është i gabuar dhe i papërshtatshëm", tha kryeministri turk.

Pohimi i sinqertë i Papës argjentinas u mirëprit nga ana tjetër prej kryetarit të shtetit armen, Serzh Sargsyan, i cili ishte i pranishëm në predikim. Ati i Shenjtë,- tha Sargsyan, – i dërgoi një mesazh të fuqishëm të gjithë komunitetit ndërkombëtar. Me fjalët e tij, Papa tregoi se gjenocidi që nuk dënohet dhe nuk pranohet përbën një kërcënim për të ardhmen. Vetëm liderë me parime, të cilët vënë vlerat mbi interesat e tyre, mund të na udhëheqin drejt një bote pa krime kundër njerëzimit, – tha Presidenti i Armenisë.   Turqia ka pranuar se armenë të krishterë gjetën vdekjen në përplasjet me turqit osmanë, por mohon me zemërim që kjo masakër përbën gjenocid. Sipas Ankarasë, numri i të vdekurve është hiperbolizuar, ndërsa të vrarët duhen konsideruar viktima të luftës civile dhe trazirave.

SHKARKO APP