Deklarata tronditëse e zyrtarëve amerikanë: Koronavirusi ka vrarë njerëz në Amerikë, para se të raportohej rasti i parë i vdekjes

Të dhënat e fundit nga zyrtarë të qeverisë, tanimë thonë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vdekur për shkak të koronavirusit njerëz pak përpara se të raportohej zyrtarisht se ka vdekje nga Covid-19 në Amerikë.

Zyrtarët e Shëndetësisë në SHBA kanë thënë se dy persona kanë vdekur nga Covid-19 në Kaliforni, në fillim të muajit shkurt, pak kohë para se zyrtarisht në atë kohë të thuhej se ka ndodhur vdekja e parë nga virusi.

Zyrtarët e qarkut në Santa Clara, në veriun e Kalifornisë kanë deklaruar se kanë informacion të plotë se nga Covid-19, në SHBA kanë ndërruar jetë në shtëpitë e tyre njerëz në datat 6 dhe 17 shkurt 2020. Ndërsa, SHBA kishte thënë më përpara se vdekja e parë nga virusi ishte shënuar në datë 29 shkurt në Kirkland, në shtetin e Uashingtonit.

Kontrolluesi mjekësor i qarkut Santa Clara, konfirmoi të martën se mostrat e indeve të marra gjatë autopsisë dhe të dërguara në Qendrën e SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u testuan pozitive për virusin, thanë zyrtarët. Një vdekje e tretë e tillë ka ndodhur më 6 mars. Qarku i Santa Clara është në jug të San Francisko dhe përfshin San Josenë.

“Këta tre individë vdiqën në shtëpi gjatë një kohe kur testimi shumë i kufizuar ishte i disponueshëm vetëm përmes CDC”, tha departamenti i shëndetit të qarkut Santa Clara në një deklaratë.

“Kriteret e testimit të përcaktuara nga CDC në atë kohë kufizuan testimin vetëm për individë me një histori të njohur udhëtimi dhe që kërkuan kujdes mjekësor për simptoma specifike. Ndërsa Examiner-Coroner Medical vazhdon të hetojë me kujdes vdekjet në të gjithë qarkun, ne parashikojmë që të identifikohen vdekje shtesë nga Covid-19”, thotë më tej deklarata.

Rasti i parë i konfirmuar zyrtarisht me koronavirus në SHBA ishte më 21 janar, në shtetin e Uashingtonit. Mirëpo, lajmet e fundit nga Kalifornia tregojnë se në të vërtetë vdekjet nga Covid-19 kanë ndodhur më parë nga se ishte raportuar.

SHKARKO APP