Deklaratë e fortë në OKB, Mamdani: Netanyahu duhet të arrestohet dhe të dërgohet në Hagë
Kryebashkiaku i New Yorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se po shqyrton mundësitë ligjore nëse autoritetet e qytetit mund të ndërmarrin veprime ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, në rast se ai viziton New Yorkun gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që zhvillohet në shtator.
Në një intervistë për gazetën “The New York Times”, Mamdani bëri të ditur se kjo çështje është duke u diskutuar me ekipin ligjor të bashkisë. Megjithatë, ai nuk përsëriti deklaratën e mëparshme se do të urdhëronte arrestimin e Netanyahut, duke theksuar se çdo veprim do të varet nga ajo që lejon ligji.
“Besoj se kryeministri Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë në Hagë. Ai është një kriminel lufte ndaj të cilit ekziston një urdhër-arrest nga Gjykata Penale Ndërkombëtare. Ne do të bëjmë gjithçka që na lejon ligji në New York”, u shpreh Mamdani.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër-arrest për Benjamin Netanyahun në nëntor të vitit 2024, duke e lidhur me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Gaza. Qeveria izraelite i ka hedhur poshtë këto pretendime dhe ka kundërshtuar gjithashtu autoritetin e kësaj gjykate për të ndërhyrë në çështje që lidhen me Izraelin.
Megjithatë, një përpjekje nga autoritetet lokale të New Yorkut për të zbatuar një urdhër të tillë do të përballej me vështirësi të shumta ligjore. Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e Statutit të Romës, marrëveshjes ndërkombëtare që krijoi Gjykatën Penale Ndërkombëtare, dhe nuk e njohin juridiksionin e saj.
Çështja pritet të mbetet pjesë e debatit politik dhe juridik, veçanërisht në prag të mbërritjes së liderëve botërorë në New York për takimin vjetor të OKB-së.
KOHA JONË SONDAZH

