“Demokracia e kërcënuar”, si i shohin shqiptaro-amerikanët zhvillimet e fundit politike në SHBA
Si i shohin shqiptaro-amerikanët zhvillimet e fundit politike në SHBA në prag të inaugurimit të Presidentit të Zgjedhur Joe Biden? Zëri i Amerikës bisedoi në Skype me dy prej tyre.
Më 6 janar, ditën kur një turmë e dhunshme sumoi Kapitolin, Marko Kepi, mbështetës i Presidentit Donald Trump nga Nju Jorku, ishte në Uashington.
“Ne ishim në pjesën ku mbajti fjalimin Presidenti Trump, që ishte më shumë afër Shtëpisë së Bardhë se sa afër Kapitolit. Kur iu afruam Kapitolit, pas fjalimit të Presidentit, e pamë që filloi rrëmuja dhe me grupin tonë vendosëm të largoheshim që të mos bëheshim pjesë e trazirave. Ishte një gjë shumë negative, që nuk duhet të ndodhte, sidomos këtu në Amerikë. U duk si një gjest ballkanik dhe jo si një gjest amerikan,” thotë zoti Kepi, i cili drejton organizatën Albanian Roots.
Shumë amerikanë ndajnë mendimin se me zhvillimet e fundit, siç ishte sulmi kundër Kapitolit, saga e gjatë e zgjedhjeve dhe sidomos teoritë konspirative që qarkullojnë me lehtësi në mediat sociale, demokracia amerikane është e kërcënuar si asnjëherë.
Edhe zoti Kepi shpreh shqetësimin e tij për kërcënimet ndaj demokracisë. Ai nuk është dakord, për shembull, me vendimin e kompanisë Twitter që i mbylli llogarinë presidentit Trump.
“Në një anë them se po, është e kërcënuar, sepse kur sheh akte të tilla që një kompani ia bllokon Presidentit të SHBA të drejtën e fjalës, ky është një shqetësim për demokracinë amerikane. Qeveria duhet të reagojë që të mos ndodhin këto gjëra. Nëse kjo i ndodh presidentit, atëhetë ç’mund të thuhet për ne? Sa i përket shtetit dhe ligjit nuk shikoj se do të ketë një ndryshim shumë të madh. Shteti amerikan gjithnjë do të funksionojë, sepse kemi Kongresin, Senatin dhe dy parti që mundohen të ruajnë ekuilibrin.” thotë zoti Kepi.
Richard Lukaj, themelues i grupit bankar Bank Street në Stamford të shtetit Konektikat, është i regjistruar si republikan dhe në të kaluarën ka patur rastin të njohë si Presidentin Trump gjatë marrëdhënieve të biznesit me të, ashtu edhe Presidentin e Zgjedhur Joe Biden. Ne e pyetëm zotin Lukaj nëse një proces shërimi në SHBA është i mundur me ardhjen e administratës së re:
“Mendoj se është shumë e mundur. Vazhdimisht në këtë vend ka patur erëra ndryshimesh. Votuesit kësaj here u shprehën për një ndryshim në drejtimin e vendit, një ndryshim të tonit, një ndryshim në karakterin e presidentit madje edhe përtej kësaj, siç u pa me fitoren e dy senatorëve në shtetin Xhorxhia, njëri prej të cilëve afrikano-amerikan dhe tjetri hebre. Mendoj se mesazhi ishte shumë i qartë. Era e ndryshimit e ka lënë pas retorikën populiste që pamë disa vite më parë,” thotë zoti Lukaj.
Por zoti Lukaj mendon se situata është ende shqetësuese, kur dëgjohen paralajmërime për kërcënime ndaj sigurisë në ditën e inaugurimit që po afron:
“Është ende një kohë tensionesh, kur zërat e njerëzve të arsyeshëm duhet të dëgjohen. Mendoj se mendjet inteligjente në të dyja anët e spektrit politik duhet të bien dakord se e ardhmja e vendit është më e mirë kur ka pajtim dhe dialog konstruktiv për zgjidhjen e problemeve, se sa grindje politike që e përçajnë vendin.”
Në mënyrë të veçantë, Partia Republikane ka qenë kohët e fundit mjaft në qendër të debateve politike. Për mbështetës të zotit Trump si Marko Kepi, e ardhmja e partisë është ende e panjohur. Kjo parti prej disa vitesh lëkundet mes besnikërisë ndaj Presidentit Trump dhe largimit nga ndikimi i tij.
“Si asnjëherë më parë, nuk shikoj që ky kandidat, ose ky president që ne kishim, do të jetë si të tjerët që thjesht kryejnë mandatin dhe zhduken. Ai nuk kishte thjesht votues por një bazë që e ka mbështetur, një grup personash që më shumë besojnë tek ai sesa tek partia. Mendoj se mënyra se si do të sillet Partia Republikane me Presidentin Trump, do të tregojë për të ardhmen e kësaj partie,” thotë republikani Kepi.
Në komunitetin shqiptaro-amerikan pasionet politike nuk mungojnë. Richard Lukaj beson se politikisht ky është një komunitet si gjithë të tjerët, i integruar thellë në jetën e vendit, por me tiparet e veta sa i përket prirjeve politike.
“Mendoj se komuniteti shqiptaro amerikan nuk është ndryshe nga pjesa tjetër e vendit… Shumica e shqiptarëve që emigruan në SHBA erdhën këtu me një preferencë për të djathtën, siç ishte familja ime dhe të tjerë që ikën nga regjime socialiste dhe komuniste. Por është interesant se me kalimin e kohës, përvoja amerikane bëri që preferencat e tyre partiake të balancoheshin, duke arritur gati 50 me 50 për qind,” thotë bankieri Lukaj.
Ai shpjegon se ashtu siç ka ndodhur edhe me pjesën më të madhe të vendit, shqiptaro-amerikanët janë luhatur nga njëra anë e spektrit tek tjetra në varësi të çështjes që ka patur përparësi për komunitetin.
“I tillë ka qenë konflikti në Kosovë, kur simpatitë shkonin drejt sekretares Madeliene Albright dhe Presidentit Bill Clinton. Në fillim të viteve 90, kur Shqipëria po shkëputej nga komunizmi, ishte sekretari James Baker dhe presidenti Xhorxh Bush i vjetër që nxorën më në pah prirjet republikane tek komuniteti shqiptar,” thotë ai.
Zoti Lukaj bën thirrje që në momentin e tanishëm njerëzit të jenë më objektivë e më të peshuar, larg ndikimit të emocioneve që errësojnë gjykimin./VOA
*titulli redaksional*