Demokratët në unitet kundër Trump
Plot 13 kandidatë për presidentë janë zotuar se në vitin 2020 do e largojnë nga Shtëpia e Bardhë kreun aktual, Donald Trump.
Të mbledhur në tubimin më të madh paraelektoral të fundvitit në shtetin e Ajëuës, demokratët Elizabet Uorën, Xho Bajdën, Kamala Haris dhe kolegë të tjerë paraqitën platformat ideore për të mundur pabarazinë dhe për të garantuar shëndetësi falas.
“Kushdo që vjen në këtë podium dhe ju thotë të mos ëndërroni shumë nuk ka për të na udhëhequr në fitore. Do fitojmë po të ofrojmë zgjidhje për jetët e njerëzve dhe ndryshim të madh strukturor,” deklaroi senatorja Uorën e kampit progresist.
Më herët ajo zbuloi planin e vet për shëndetësi falas që pritet të kushtojë mbi 20 trilionë dollarë dhe do të financohet vetëm nga më të pasurit.
Demokrati Bajdën, një nga favoritët për karrigen presidenciale, tha se prania e tij në garë shihet si kërcënimin për Trumpin dhe disa liderë të botës.
“Këto javë kam mësuar disa gjëra. E para, që Vladimir Putin nuk do që të bëhem president. Dhe e dyta, Donald Trump nuk do që të jem kandidat dhe për këtë po shpenzon para të mëdha,” përfundoi ish-zv.presidenti demokrat 76-vjeçar, Bajdën.
Presidenti aktual po ashtu mblodhi mbi 10 mijë simpatizantë në një arenë sportive të Misisipit.
Trump kundërshtoi nisjen e hetimeve formale për shkarkimin e tij, dhe akuzoi demokratët se po shkojnë drejt radikalizmit të majtë dhe socializmit.
Me qëndrimet e tyre, tha Trump, po zemërojnë shumicën e amerikanëve dhe beteja e tij për t’u rikonfirmuar në detyrë vitin e ardhshëm ka për të qenë tepër e lehtë.