Deputetët francezë: ribashkimi i Krimesë me Rusinë ka qenë i ligjshëm, nuk ka asnjë “okupacion rus” në rajon
Parlamentarët francezë, që kanë vizituar Krimenë në datat 23-24 korrik të këtij viti, kanë njoftuar se banorët e këtij gadishulli jetojnë në paqe dhe kanë hedhur poshtë çdo spekulim për gjoja “pushtimin rus” të Krimesë.
Dhjetë deputetë francezë me në krye anëtarin e komisionit parlamentar për çështje ndërkombëtare Thierry Mariani kanë deklaruar se udhëtimi i tyre në Krime është nxitur nga dëshira për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh realisht në këtë rajon. Sipas deputetëve, qëllimi i tyre kryesor ka qenë të zbulojnë të vërtetën lidhur me zhvillimet e fundit në Krime, pasi mediat perëndimore i kanë mbuluar në mënyrë shumë të njëanshme ngjarjet që pasuan ribashkimin e gadishullit me Rusinë.
Një nga anëtarët e delegacionit ka theksuar se: “Çdo vend duhet ta vizitosh vetë për të parë se çfarë po ndodh atje. Për këto dy ditë të fundit jemi bindur se këtu nuk ka asnjë okupaicion dhe njerëzit janë të lirë. Kemi parë se qytetarët jetojnë në paqe”.
Mariani, një nga përfaqësuesit e partisë Les Républicains të ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, ka thënë që referendumi për ribashkimin me Rusinë, i cili u zhvillua në mars 2014, e ka shpëtuar këtë gadishull të Detit të Zi nga një konflikt i ngjashëm me atë që shpërtheu në Ukrainën lindore. “Para dy muajsh unë kam vajtur në Severodonjeck, Sllavjansk dhe Kramatorsk (qytete në rajonin e Donjeckut), ku kam parë shkatërrime dhe kam folur me refugjatë. Shumë mirë e keni bërë që nuk e keni lejuar një gjë të tillë të ndodhë këtu”, – ka shtuar deputeti.
Mariani pastaj ka nxjerrë një konkluzion: “Pas gjithë asaj që kemi dëgjuar këtu, kemi kuptuar që kthimi i Krimesë prapë drejt Rusisë ka qenë i ligjshëm. Do të nevojitet kohë për të ndryshuar opinionin e evropianëve, por unë premtoj se do t’i tregojmë të gjithëve se çfarë po ndodh realisht në Krime. Kur bien dy kambana, njerëzit fillojnë të mendojnë… Kriza në bujqësi e shkaktuar nga sanksionet [kundërsanksionet e vendosura nga Rusia] tashmë i ka bërë njerëzit që të bien në mendime”.
Sanksionet e BE-së kundër Rusisë Mariani i ka cilësuar si një rrugë qorre: “Ndërkohë që SHBA-të po i heqin kufizimet ndaj Kubës, nuk e shoh asnjë arsye që Evropa t’i vazhdojë sanksionet kundër Rusisë”. Sipas tij, me të ardhur në Krime deputetët francezë menjëherë e kanë vënë re efektin e sanksioneve – kartat SIM të kompanive evropiane të telekomunikacionit nuk funksionojnë në Krime.
Një anëtar tjetër i delegacionit francez Jacques Myard beson se mospajtimet ndërmjet Francës dhe Rusisë nuk kanë asnjë sens. “Situata aktuale është e pakuptimtë. Ajo bie ndesh me raporte tradicionalisht të mira midis vendeve tona. Sa më shpejt duhet t’i përmirësojmë marrëdhëniet tona dhe të ndërtojmë një botë të bazuar në solidaritet. Kultura jonë e përbashkët do t’i zëvendësojë konfliktet”, – është shprehur Myard.
Deputeti Nicolas Dhuicq, nga ana e tij, e ka konsideruar refuzimin e palës franceze për t’i dorëzuar Rusisë anijet e klasit “Mistral” si “një gabim të madh diplomatik”.
Në ditën e dytë të vizitës së tyre francezët kanë mbërritur në Sevastopol. Në këtë qytet delegacioni nga Parisi, para së gjithash, ka vizituar varrezën ushtarake franceze ku janë varrosur dhjetra mijë ushtarë francezë të vrarë gjatë Luftës së Krimesë (1853-1856). Thierry Mariani është surprizuar se varreza “nuk është në gjendje të mjeruar, nuk i ekspozohet asnjë rreziku” dhe nuk është bërë zonë e ndërtimit, siç pretendohet nga mediat evropiane.
Francezët kanë folur jo vetëm me udhëheqësit e Krimesë, por edhe me qytetarë të thjeshtë. Në Sevastopol zotit Mariani i është afruar një burrë, i cili i tha që kthimi i qytetit të tij drejt Rusisë ka qenë “ngjarja më e gëzueshme” e jetës së tij, kurse Sevastopoli “ka qenë gjithmonë krenari e Rusisë”. Në qytetin e Jaltës, siç ka rrëfyer Mariani, ai ka takuar disa tartarë të Krimesë dhe “ata nuk duken si njerëz të trishtuar”.
Parlamentarët francezë kanë ardhur në Krime pavarësisht kritikës së ashpër nga ana e politikanëve evropianë. Francezët janë shprehur se nuk e përkrahin qëndrimin zyrtar të vendit të tyre se Krimeja kinse është territor i okupuar. Qeveria franceze e ka dënuar vendimin e deputetëve, duke e cilësuar si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Megjithatë, parlamentarët kanë deklaruar se qeveria nuk ka kompetenca për t’u dhënë udhëzime se çfarë duhet të thonë dhe ku mund të udhëtojnë.
Për t’i njohur me situatën aktuale në Krime edhe vendimmarrësit francezë, senatori Yves Pozzo di Borgo ka propozuar që të zhvillohet edhe një vizitë e parlamentarëve të Krimesë në Francë.
Delegacioni francez është grupi i parë i zyrtarëve të lartë përendimorë që ka vizituar Krimenë pas ribashkimit të saj me Rusinë.
Njëkohësisht, deputeti Claude Goasguenka bërë të ditur se, me gjasa, Krimenë mund ta vizitojë edhe ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy. “Ende nuk ka plane të caktuara, por kjo është tejet e mundur”, – ka thënë Goasguen.
Gatishmërinë e saj për të vizituar Krimenë e ka konfirmuar edhe eurodeputetja Nadine Morano. Në fund të qershorit ajo ka mbledhur në Parlamentin Evropian një grup “Për një dialog të ri me Rusinë” ku bëjnë pjesë përfaqësuesit e delegacioneve të Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Portugalisë. “Udhëtimin tonë e kemi planifikuar për muajin shtator – fillimin e tetorit. Dhe vizitën tonë në Krime po e shohim si një prej mundësive”, – ka sqaruar Morano për gazetën Kommersant. Anëtari i grupit të majtë në Bundestag Michael Schlick i ka thënë Kommersant se në rast të marrjes së një ftese për të vizituar Krimenë ai është i gatshëm “ta diskutojë”. Po ashtu, kryetari i grupit politik të socialistëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Andreas Gross ka njoftuar për synimin e tij për të organizuar një vizitë në Krime të delegacionit parlamentar. “Brenda tre muajve në vijim ka shumë pak gjasa që t’ia dalim mbanë. Por unë do të bëj të pamundurën për të siguruar që në tetor-nëntor një delegacion i madh i parlamentarëve nga vende të ndryshme të shkojë në Krime”, – ka pohuar Andreas Gross.
Krimeja është ribashkuar me Rusinë më mars të vitit 2014 pas referendumit në të cilin më shumë se 96% të qytetarëve kanë votuar për kthimin e gadishullit drejt Rusisë. Vendimi për të mbajtur një referendum është nxitur nga refuzimi i qytetarëve për të njohur legjitimitetin e qeverisë së re në Kiev që ka ardhur në pushtet në shkurt 2014 si rezultat i një grushti të shtetit. Qytetarët e Krimesë, shumica prej të cilëve janë rusë etnikë, kanë shprehur shqetësim se autoritetet e reja të Ukrainës nuk do të përfaqësojnë interesat e tyre dhe nuk do të respektojnë të drejtat e tyre.
Citimet janë marrë nga burimet e mediave ruse:
1. Gazeta “Kommersant”, autor – Vadim Nikiforov
2. Sputnik News (sputniknews.com)