Dëshmia: Ja si i shpëtova dorëshkrimet e krishtera nga furia e ISIS-it

“Natën kur flamurët e zinj hynë në Karakosh, në pllajën e Ninives – fillon tregimin ai – ngarkova dorëshkrimet mbi kamion e mbi to, njerëzit, sepse doja t’i shpëtoja njerëzit bashkë me kujtesën tonë kulturore. Një popull pa kujtesë është i humbur”. Atë Najeeb Michaeel, domenikan me studime në Francë, jetonte në kuvendin e Karakoshit, 20 km larg Mosulit, ku krishterimi ka zënë rrënjë që në shekullin e dytë pas Krishtit. Jeta e tij sillet rreth kërkimit dhe restaurimit të dorëshkrimeve të lashta. “Jo vetëm tekste të krishtera – shpjegon – kemi mbledhur gjithnjë edhe dorëshkrime myslimane, jazide, hebraike, armene, të të gjitha bashkësive, që kanë banuar në Mesopotami. I mblidhnim e pasi i restauronim i fusnim në arkivin tonë dixhital, ndërsa origjinalin e kthenim në vendin nga vinte. Ja pse nuk munda t’i shpëtoj të gjitha”.
Nuk mund ta thotë ku ruhen kodet e çmueshme, që arriti të shpëtojë nga furia shkatërruese e ISIS, apo Da’ish, siç quhet në arabisht Shteti Islamik i Irakut dhe i Sirisë së Madhe. Është i jashtëzakonshëm rreziku, që ndokush t’i vjedhë ose t’i manipulojë ato fragmente të gati 2000 vjetëve histori, që do të bëheshin hi e pluhur, ashtu si dokumentet e mbetura në pllajën e Ninives, të cilave iu vu zjarri për t’u flijuar në elterin e çmendurisë integraliste. “Shpëtimi i këtyre librave – vijon atë Michaeel për gazetën më të rëndësishme italiane – do të thotë të pohojmë se jemi akoma këtu, se kjo është toka jonë e lindjes, se kultura jonë është pjesë e këtyre e vendeve, që nga agimi i krishterimit, pavarësisht nga vështirësitë, dhuna, frika… E di se kanë djegur gjithçka, por këto dokumente i shpëtova e, bashkë me to, edhe kujtesën tonë”.

Por cila është gjendja e të krishterëve? Autori i shkrimit, gazetari italian Riccardo Bicicchi, i ka ndjekur të krishterët në ikjen nga Mosuli në Erbil. Qytete të tëra, dëshmon ai, u boshatisën brenda pak orëve para ISIS-it: së pari Mosuli, pastaj Karakoshi, Bartela, vende me shumicë të krishterë. Famullitarët udhëhoqën eksodin e natës. “Kam shkuar lart e poshtë me furgon për shtatë herë me radhë – thotë atë Majeet, sekretari i ipeshkvit të Mosulit. I çoja njerëzit deri në gjysëm të rrugës, sepse mund të vazhdonin më këmbë, pastaj kthehesha para kishës dhe ngarkoja të tjerët. Ngarkesa e fundit ishte me 40 vetë, njëri mbi tjetrin. Kur u ktheva prapë nuk kishte më njeri e ISIS ishte nga ana tjetër e sheshit. Kështu, ika edhe unë”. Mëse 100 mijë të krishterë, që shkojnë përsëri tek famullitarët e tyre për probleme të pazgjidhshme, për ujë, bukë e veshje. 

Të gjithë ëndërrojnë të kthehen në shtëpitë e tyre, por e dinë se ato janë plaçkitur një e nga një. Banesat e eksponentëve më në zë janë djegur, të tjerat, ISIS ua ka dhënë simpatizantëve të vet. E ndërkaq, të krishterët jetojnë në kampe, fëmijët nuk mund të shkojnë në shkollë e nuk mund të qetësohen. Gjendja, që i rrethon i ka bërë më agresivë. Pjesën më të madhe të refugjatëve po i sistemojnë nëpër pallate në ndërtim e sipër, sepse nuk mund të qëndrojnë nëpër tenda në dimër. Por “kampet” e reja janë të llahtarshme. Ecja nëpër shkallë të jep ndjesinë e fundit të ferrit. Më e tmerrshmja është një qendër tregtare, që quhet “Ankawa Mall” (Magazina Ankaua). Nga jashtë duket e përfunduar, por brenda është skelet çimentoje, ku lagështira grumbullohet nëpër pellgje e ku njerëzit shpikin dhoma, duke lidhur një shtyllë me tjetrën me ç’të munden. 

Swiss Digital Desktop Reklama

Atë Zhalal, meshtar me trup të vogël e të imtë, është përgjegjësi i këtij lloj “kampi”. “Kemi këtu 200 familje – tregon ai për gazetën italiane – së paku, kanë një çati mbi krye, që i mbron nga shiu, sepse nëpër tenda ishte e pamendueshme. Por aman si ndjehet i ftohti në mes të çimentos, në këtë vend ku jemi akoma gjallë e për gazep”. Në katin e tretë, në gjysëm errësirë, me një batanije të trashë mbi supe, Sabihaja, 103-vjeçare nga Karakoshi, e kalon ditën me Rruzare në dorë, duke shoqëruar me zërin e saj të dobët kokrrat, që i shtyn me gisht njëra pas tjetrës, në “Falemi Mrinë” më të çuditshme e më të fuqishme të botës. Nga tavani bien flokë të bardhë: nuk është borë, por myk, që flauron mbi Sabihanë dhe Rruzaren e saj. Në “dhomën” ngjitur, një familje vuan dramën e vet me një dinjitet, që të lë pa mend. Burri është i verbër dhe e kalon ditën mbi dyshek, duke dëgjuar radion në një qoshe. Gruaja, rreth 40 vjeç, mblidhet grusht kur tregon se njerëzit e veshur me të zeza i shkëputën nga duart vajzën 3-vjeçare, duke i ulëritur: “Kjo s’është më e jotja”. Ajo shpreson ta gjejë sërish, pa pranuar se ka përfunduar si shumë të tjera. 

Swiss Digital Mobile Reklama

Ankawa Mall është supermarket i tmerreve, një koncentrat i të gjitha mënyrave, me të cilat njerëzimi mund ta degradojë vetveten. Kryeipeshkvi i Erbilit, imzot Bashar Uarda, i ritit kaldeas, shpreson t’i zhvendosë njerëzit prej andej, por nuk është e lehtë, janë mëse 20 mijë familje. “Historia e të krishterëve në këto troje – thotë për “Corriere della Sera” – është histori persekutimesh, por kësaj radhe është ndryshe, kësaj radhe është masakër: kush mendon se ISIS është vetëm një bandë kasapësh, një fenomen vetëm sirian e irakian, gabon rëndë. Njerëzit nuk dinë më ç’është shpresa në të ardhmen. Kemi nevojë që bota të na ndihmojë”.
 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?