Dështimi në Afganistan ofron mësime për politikën perëndimore në Ballkan

Nga Vesko Garceviç

“Të njëjtët politikanë që na thanë se Afganistani ishte kritik, për të cilin vlente të vdisje, se ishte një kërcënim ekzistencial për sigurinë globale … papritmas një mëngjes u zgjuan dhe thanë se ai nuk ka fare rëndësi.” Kështu i shpjegon Rory Stewart, ish-sekretar për Zhvillimin Ndërkombëtar në Mbretërinë e Bashkuar, momentet e fundit të sagës afgane.

Pikëpamja e Stewart përfshin pakënaqësinë e atyre që mendojnë se Perëndimi ishte dhe është moralisht i detyruar të bëjë më shumë për popullin afgan. Ai gjithashtu përcjell zhgënjimin e shumë afganëve që besuan në një të ardhme më të mirë për vendin e tyre. Nuk është e vështirë të kuptohet kuptimi simbolik i Afganistanit për Perëndimin dhe SHBA-në në veçanti. Pas sulmit terrorist të vitit 2001, “lufta kundër terrorit” ishte projekti më i madh dhe, deri më tani, më i rëndësishëm i SHBA-së në shekullin e XXI.

Për 20 vjet, antiterrorizmi ka qenë përparësia kryesore e politikës së sigurisë kombëtare amerikane. Dhe në zemër të saj ishte Afganistani. Ndërhyrja ishte menduar të ishte një shembull i solidaritetit dhe vendosmërisë së aleatëve, të sigurt në drejtësinë e kauzës së tyre.

Ndërsa zyrtarët amerikanë po përpiqen të shpjegojnë se çfarë shkoi keq, kritikat për përfshirjen e SHBA-së në Afganistan shtohen çdo ditë. Nga India, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në vetë SHBA, ekspertët e perceptojnë dështimin në Afganistan si fundin e një “Pax Americana” të gjatë dhe vënë në dyshim lidershipin global amerikan.

Megjithatë, duhet të jeni të kujdesshëm në nxjerrjen e përfundimeve të qëndrueshme. Fundi i afërt i botës euro-atlantike është deklaruar shumë herë dhe shumë kohë para përfundimit famëkeq të konfliktit afgan. Të mos harrojmë se Muri i Berlinit ra vetëm 14 vjet pas përfundimit të Luftës së Vietnamit, që u konsiderua po aq katastrofë për qëndrimin global amerikan. Sa i përket rajonit të Ballkanit, ky mund të jetë momenti për të llogaritur edhe një herë vendin tonë në ekuacionin global dhe nëse mund të bëjmë paralele me Afganistanin, pavarësisht dallimeve të dukshme që ekzistojnë midis dy botëve tona.

Përfshirja e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor ka zgjatur pothuajse aq sa ishte rasti edhe me Afganistanin. Ajo erdhi pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave që pasuan. Në retrospektivë, ajo mund të përshkruhet si një rrugë me pengesa. Pasi bënë gabime të shumta dhe lejuan disa dështime tragjike, si në Srebrenicë në Bosnjën lindore, në vitin 1995, ndërhyrjet perëndimore i dhanë fund konflikteve tona të përgjakshme. Periudha që nga përfundimi i luftërave ballkanike ka rënë në sy për përfshirjen e madhe të BE-së, perspektivën e anëtarësimit në BE, pranimin në NATO të disa vendeve të Ballkanit dhe premtimin për rritje ekonomike, sidomos në fillim.

Megjithatë, përfshirja e BE-së dhe SHBA-së nuk e kanë parandaluar kapjen e shtetit, korrupsionin endemik, shkeljen e lirisë së medias, degradimin e mjedisit dhe largimin e trurit. Mosbesimi tek institucionet shtetërore dhe tek aftësia e tyre për t’u ofruar zgjidhje qytetarëve është një mantër rajonale. Pandemia aktuale e COVID-19 është vetëm një shembull. Mungesa e besimit midis qytetarëve dhe shtetit është një problem i madh. Kjo mungesë besimi përdoret më pas nga njerëzit si një justifikim për të shmangur vaksinimin, ose respektimin e masave të vendosura nga qeveritë për të frenuar përhapjen e pandemisë.

Në të njëjtën kohë, me trupat e tyre në ISAF ose misionin “Resolute Support” – përveç Serbisë, e cila vendosi të mos dërgojë trupa – vendet nga rajoni mund të mburreshin se kishin ecur shumë para në krahasim me pikën ku ata ishin 30 vjet më parë. Siç u pëlqen zyrtarëve tanë të thonë, nga përfitues, ne jemi bërë “garantues të sigurisë”.

Shpërbërja e Jugosllavisë, Iraku ose Afganistani na mësojnë se siguria është më shumë sesa investim në armë dhe pajisje të përparuara. Pas dy dekadash dhe 83 miliardë dollarësh të shpenzuar nga Perëndimi për armë dhe trajnime, forcat afgane të sigurisë u rrëzuan brenda pak javësh. Ashtu si në Irak, ku ISIS/DAESH i mori armët ushtrisë irakene, talebanët kanë në dorë pajisjet e sofistikuara amerikane “falas”.

Pajisjet e sofistikuara ushtarake dhe paratë nuk mund të zgjidhin probleme të rrënjosura thellë dhe sistematike si korrupsioni, qeverisja e keqe dhe mosbesimi tek institucionet shtetërore. Përkundrazi, ato mund t’i bëjnë këto probleme edhe më të mëdha. Kjo ishte një çështje e pazgjidhshme në Afganistan dhe duhet të shërbejë si një mësim për të gjithë ne. Me të drejtë apo jo, shumë ekspertë besojnë se mundësia për të parë përfshirjen më të fuqishme të SHBA-së në Evropë ka “ikur bashkë me erën afgane”.

Dhjetorin e kaluar bota i pa ndoshta me një optimizëm të pabazuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Fitorja e Joe Biden mbi Donald Trump dhe theksi i tij në virtytet e multilateralizmit u mirëpritën në pothuajse çdo cep të botës. Në Evropë, shumë prisnin një bashkëpunim më të fuqishëm midis SHBA-së dhe Brukselit, por deri tani është bërë shumë pak. Sot, disa ekspertë argumentojnë se katastrofa afgane do t’i shtyjë Shtetet e Bashkuara të reduktojnë përfshirjen e tyre globale dhe të përqendrohen vetëm në disa çështje “të nxehta” që konsiderohen jetike për interesat e SHBA-së.

Megjithatë, zhvillimet aktuale mund të mos çojnë në një rezultat kaq të keq për ne në Evropë. Siç tha Winston Churchill dikur: “Kurrë mos lejoni që një krizë e mirë të shkojë dëm”. Për SHBA-në dhe BE-në, kjo krizë mund të jetë gjithashtu një thirrje zgjimi dhe një mundësi për të riparë strategjitë e tyre aktuale në pjesë të tjera të botës, përfshirë Ballkanin.

Nuk është vonë për të ndryshuar spiralen e negativitetit që mbizotëron në diskursin tonë publik, helmon jetën tonë dhe shërben si terren ushqyes për politika regresive. Por që kjo përmbysje të ndodhë, nevojitet një angazhim i fortë politik dhe një strategji e re kundrejt Ballkanit Perëndimor.

Deklarata e prillit e Uashingtonit në lidhje me angazhimin ndaj Ballkanit Perëndimor dhe planet për të emëruar një të dërguar të ri rajonal, janë shenja premtuese. Specialistët e Ballkanit në Uashington i kanë kërkuar SHBA-së që të riformësojë qasjen e saj dhe të riinvestojë më shumë në shoqërinë civile dhe grupet joqeveritare lokale.

Siç sugjerojnë ngjarjet e fundit në Afganistan, ballafaqimi me të kaluarën dhe lufta kundër ideologjive retrograde është kritike për suksesin e një shoqërie. Kështu që, si SHBA-ja ashtu edhe BE-ja duhet të mbajnë një qëndrim me zero tolerancë ndaj narrativave dhe politikave që promovojnë revizionizmin historik, mohimin e gjenocidit dhe një ideologji hegjemonike rajonale.

Dikush mund të thotë se Uashingtoni dhe Brukseli e kanë bërë këtë për 30 vitet e fundit. Pra, pyetja këtu është: a mund të presim që dikush të na mbështesë pafundësisht dhe të ndreqë të gjitha problemet tona të shumta? Me siguri që jo.

Çështja mund të trajtohet ndryshe. A nuk është një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i begatë në interesin më të mirë të BE-së dhe SHBA-së? Rajoni i Ballkanit është një nga vendet në botë ku Brukseli dhe Uashingtoni, duke punuar së bashku, mund të sjellin një ndryshim për mirë – pa ndërmarrë një rrezik politik ose pa humbur miliarda dollarë, siç ndodhi në Afganistan.

Marrë nga /Reporter.al/

RRETH AUTORIT

Vesko Garceviç është një ish-Ambasador malazez në NATO, OSBE dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Ai është aktualisht një profesor në Shkollën Frederick S. Pardee për Studime Globale, në Universitetin e Bostonit.

SHKARKO APP