“Dështon” stuhia historike, por bregu lindor mbetet sërish i kërcënuar
Pasi u shpall gjendja e emergjencës së lartë në 6 shtete, mëngjesin e sotëm meteorologët amerikanë kërkuan falje për parashikimin e tyre.
New York vendosi të paralizojë gjithë lëvizjet si me makinë, ashtu edhe metro, trena apo edhe në aeroporte duke pritur kulmin e stuhisë historike të dëborës.
Por dëbora që ra ishte shumë normale, dhe në orën 7:00 të mëngjesit me atë amerikane meteorologu Gary Szatkowski kërkoi falje për parashikim e gabuar dhe ngrirjen e lëvizjes në 6 shtete.
“Kërkoj faljen time të thellë për shumë vendime që u morën dhe për pjestarët e shërbimit publik”, shkroi Gary Szatkowski, meteorolog në Mount Holly, New Jersey.
Ndërkohë, guvernatorët e shteteve të prekura nga dëbora, e cila duket se nuk do të jetë më historike, bënë thirrje dhe urdhëruan qytetarët të qëndronin në shtëpi mbrëmjen e së hënës.
Guvernatori i New Yorkut, Andrew Cuomo paralajmëroi banorët që mos të shkelin urdhrin për ndalimin e lëvizjes me automjete në 13 qarqet jugore të shtetit.
“Nëse jeni në makinën tuaj dhe gjendeni në ndonjë rrugë, qytet, fshat, qytet, kjo nuk ka rëndësi… pas orës 11:00 ju do të jeni duke kryer teknikisht një krim. Kjo mund të jetë një çështje për jetë vdekje, ndaj masa të tilla janë të nevojshme“, tha guvernatori.
Stuhia historike pritej që të kulmonte ditën e sotme duke shënuar dëborë mbi 1 metra, në New York, New Jersey, Connecticut, Rhode Island, Massachusetts dhe New Hampshire. Gjithsesi të gjitha masat janë marrë në këto shtete dhe për herë të parë New York mbylli metronë nga frika e stuhisë.
Të paktën tashmë njerëzit mund të dalin të pijnë kafe jashtë shtëpive të tyre!