Dështon vizita e Nikoliç në Vatikan, avioni ulje të detyruar
Bota E Shtunë, 17 Prill 2021 02:27
Dështon vizita e presidentit serb, Tomislav Nikoliç në Vatikan, pasi avioni me të cilin po udhëtonte ka bërë një ulje të detyruar në aeroportin e Beogradit.
Sipas mediave serbe, shkak i zbritjes ishte një defekt në motorin e avionit, gjë e cila ka çuar në anulimin e vizitës së kreut të shtetit serb në Selinë e Shenjtë. Nikoliç kishte planifikuar të takohej me kreun e Kishës Katolike Romane, Papa Françesku si dhe me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.
Në axhendën e bisedimeve ishte marrëdhënia mes dy vendeve për të cilën Nikoliç do të bisedonte edhe me Kryepeshkopin Peter Gallagher, dhe kreun e Departamentit për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti serb po udhëtonte me një avion të qeverisë, i llojit “Falcon” dhe i prodhuar në vitin 1981.
Media vendase shkruajnë se kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, pasi incidentet me avionët qeveritarë përsëriten shpesh.
Në dhjetor të 2012, avioni me të cilin po udhëtonte Ivica Daçiç, në atë kohë kryeministër , bëri ulje të detyruar në aredoromin “Nikola Tesla” . Diçka e ngjashme i ndodhi në nëntor të 2014 edhe Aleksander Vuçiç gjatë udhetimit për në Emiratet e Bashkura.