“Detektivët” e rinj janë podkastet, policia amerikane i përdor për të zbuluar vr*sje të fshehura
Departamentet e policisë në Shtetet e Bashkuara po përdorin gjithnjë e më shumë podkastet e krimit të vërtetë si një mjet të ri për të zgjidhur raste të vjetra dhe për të siguruar informacione nga publiku. Kjo metodë ka sjellë rezultate në disa hetime, duke ndihmuar autoritetet të arrijnë te persona të dyshuar apo të gjejnë dëshmi të reja.
Një nga rastet më të njohura është ai i Peter Chadwick, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij në Kaliforni. Pas gati katër vitesh në arrati, policia publikoi një podkast për rastin dhe rreth 10 muaj më vonë ai u arrestua në Meksikë. Edhe pse informacioni i drejtpërdrejtë nga podkasti nuk çoi në kapjen e tij, autoritetet besojnë se ekspozimi publik rriti presionin mbi të dhe ndikoi në gabimet që ai bëri gjatë arratisë.
Një tjetër shembull vjen nga Illinois, ku një podkast për rastin e Karen Schepers, e zhdukur për më shumë se 40 vite, solli zhvillime të reja. Vetëm disa javë pas publikimit të episodit të parë, trupi i saj u gjet në një lumë.
Ndërkohë, policia e Auroras në Kolorado ka nisur një projekt të ngjashëm për vrasjen e Chelsea Yasser, një 21-vjeçare e vrarë në vitin 2016. Përmes podkastit, hetuesit synojnë të arrijnë te dëshmitarë të rinj dhe të marrin informacione që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.
Ekspertët thonë se podkastet kanë potencial të madh, pasi krimet e vërteta kanë një audiencë të gjerë. Megjithatë, ato sjellin edhe sfida, përfshirë rrezikun e paragjykimit të të dyshuarve dhe çështje ligjore.
Pavarësisht debateve, specialistët besojnë se kjo formë komunikimi do të përdoret më shpesh në të ardhmen. Me zhvillimin e teknologjisë dhe ndryshimin e mënyrës se si njerëzit marrin informacion, podkastet po shndërrohen në një mjet të ri për policinë në luftën kundër krimit.
KOHA JONË SONDAZH

