Deutsche Welle: Çfarë dihet për të shtënat në Minneapolis?

Ka ditë që Agjencia Amerikane e Imigracionit dhe Doganave (ICE) në Minneapolis ka ndërmarrë masa të ashpra ndaj emigrantëve të dyshuar si të paligjshëm. Një shtetas amerikan 37-vjeçar u qëllua të shtunën për vdekje.
Në fillim të janarit, një grua vdiq në Minneapolis, Minesota, pasi u qëllua nga një oficer i ICE-së, Agjencia Amerikane e Imigracionit dhe Doganave. Të shtëna me armë u dëgjuan përsëri të shtunën (24.02.) gjatë një operacioni të oficerëve federalë amerikanë në Mineapolis, pjesë e politikave të ashpra kundër emigracionit të Presidentit Donald Trump. Sipas policisë lokale, një burrë 37-vjeçar u qëllua dhe u vra nga një oficer. Ai ishte Alex Jeffrey Pretti, një infermier i kujdesit intensiv që punonte në një spital të drejtuar nga Departamenti Amerikan i Çështjeve të Veteranëve.
Nuk është e qartë nëse Pretti vdiq në vendngjarje apo më vonë në spital. Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, ai u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa shefi i policisë deklaroi se ai u shpall i vdekur në spital. Zyrtarët e policisë së qytetit thuhet se e gjetën atë me plagë të shumta nga armë zjarri. Nuk është e qartë po ashtu pse Pretti ishte në vendin ku ndodhi tragjedia.
Prindërit e Prettit akuzojnë qeverinë për gënjeshtra
Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Alex Jeffrey Pretti ishte i armatosur. Forcat federale po kryenin një operacion kundër një emigranti pa dokumente të kërkuar për sulm, kur një person iu afrua me një pistoletë gjysmëautomatike, tha departamenti në X dhe ndau një foto të armës së dyshuar. Një agjent i patrullës kufitare hapi zjarr sepse kishte frikë “për jetën e tij dhe jetën dhe sigurinë e oficerëve të tjerë”.
Videot e dëshmitarëve okularë tregojnë 37-vjeçarin duke mbajtur vetëm një celular; asnjë armë nuk duket në asnjërën prej videove. Shefi i policisë O’Hara tha se policia beson se personi ishte një “zotërues legjitim i armës”. Anëtarët e familjes konfirmuan se Pretti zotëronte një pistoletë dhe kishte një leje për mbajtje të fshehur të armës në Minesota.

Një turmë e zemëruar u mblodh të shtunën duke protestuar kundër oficerëve të ICEFotografi: Tim Evans/REUTERS
Prindërit e qytetarit amerikan të vrarë në rrugë akuzuan forcat e rendit për vrasjen e djalit të tyre, Alex Pretti, pa shkak të ligjshëm. Ata akuzuan administratën Trump për përhapjen e gënjeshtrave në lidhje me incidentin në Minesota. “Gënjeshtrat e pafytyra të përhapura nga qeveria për djalin tonë janë të dënueshme dhe të neveritshme”, thanë prindërit e Prettit në një deklaratë.
Të shtënat fatale gjatë operacionit të oficerëve federalë amerikanë në Minneapolis kanë ringjallur zemërimin kundër Presidentit Donald Trump dhe veprimeve të administratës së tij kundër qytetarëve. Një turmë e zemëruar u mblodh të shtunën duke protestuar kundër oficerëve të ICE, duke i quajtur ata “frikacakë” dhe duke u thënë të shkonin në shtëpi. Associated Press raportoi protesta në disa zona, ku ka pasur edhe dhunë, autoritetet e sigruisë përdorën gazin lotsjellës. CNN raportoi gjithashtu skena kaotike në rrugët e qytetit. Më vonë në mbrëmje, një turmë e madhe u mblodh pranë vendit të të shtënave për t’i bërë homazhe Alex Pretti-t.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i bëri thirrje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në një konferencë për shtyp që të tërheqë forcat e ICE-sëFotografi: Tim Evans/REUTERS
“Fëmijët tanë janë të traumatizuar”
Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i bëri thirrje Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në një konferencë për shtyp që të tërheqë forcat e ICE-së. “Ata po mbjellin kaos dhe dhunë”, tha ai. “Nuk mund të jetojmë kështu. Fëmijët tanë janë të traumatizuar.” Walz shtoi se nuk kishte besim te autoritetet federale. Shteti federal do të kryente hetimin e vet për incidentin. Drew Evans, kreu i Byrosë së Kapjes Penale të Minesotës, tha se zyrtarët federalë fillimisht e mbajtën agjencinë e tij larg vendit të ngjarjes dhe madje i mohuan asaj aksesin me një urdhër kërkimi të urdhëruar nga gjykata.
la/ag DW
KOHA JONË SONDAZH

