“Dita e Lirisë” në Britani, nga sot hiqen masat kundër Covidit pas 17 muajsh
Britania deklaroi heqjen e masave kufizuese anti-Covid pas 17 muajsh. Vendimi heq detyrimin për mbajtjen e maskës dhe ndalimin e grumbullimeve ndërkohë që vendi ka shënuar deri në 50 mijë infektime ditore.
Kryeministri, Boris Johnson, i cili ka hyrë në karantinë 10 ditore pasi ka pasur kontakt me sekretarin e Shëndetësisë të prekur nga Covid, ka thënë se tani është momenti i duhur për heqjen e masave pasi popullata është imunizuar nga vaksinimi.
Autoritetet britanike deklaruan heqjen e pothuajse të gjitha kufizimeve të vendosura më parë për shkak të koronavirusit, edhe pse numri i të infektuarve ditorë, u është afruar niveleve rekord për shkak të variantit Delta. Njoftimi i të hënës për heqjen e masave në Britani është konsideruar edhe si Dita e Lirisë. Vendimi përcakton se në vend nuk do të ketë kufizime lidhur me numrin e personave që mund të takohen dhe të jenë pjesë e organizimeve, përfshirë klubet e natës.