Dita e të drejtave të njeriut, ndahen çmimet Nobel për Paqen
Sipas zyrës së Save the Children në Tiranë, çmimi për Paqen jepet për përpjekjet e tyre kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe të drejtën e të gjithë fëmijëve për arsim.
Çdo vit, fëmijë në Norvegji festojnë ndarjen e çmimit Nobel të Paqes duke organizuar një festë në qendrën e kryeqytetit në Oslo.
Festa bëhet nga fëmijët për fëmijët dhe mbështetet nga Save the Children Norvegji. Gjatë festës, fituesit e Çmimit Nobel për Paqen bisedojnë dhe i përgjigjen pyetjeve të fëmijëve.
Në këtë ditë historike për të drejtat e fëmijëve, Save the Children nxit fuqishëm qeveritë dhe komunitetin ndërkombëtar për të rritur në mënyrë drastike përpjekjet e tyre për të mbështetur të drejtën e çdo fëmije për arsim.
Qeveritë duhet të bëjnë gjithçka që është e mundur për të mbrojtur shkollat, mësuesit dhe nxënësit nga rreziku që shkaktohet nga situata konfliktesh dhe krizash.
Arsimi është një e drejtë themelore që sot u mohohet ende shumë fëmijëve në botë. 57.8 million fëmijë të moshës së ciklit fillor, nuk ndjekin shkollën. 28.5 milion prej tyre jetojnë në zonat e prekura nga konfliktet.
Pasojat negative tek fëmijët që nuk ndjekin shkollën janë afatgjata dhe të qëndrueshme, si edhe përbëjnë pengesa serioze për paqen dhe zhvillimin.
Në Shqipëri, mesatarja e viteve të shkollimit për fëmijët është vetëm 10.8 vite shkollimi formal dhe kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 119 nga 178 vende në botë.
Krahasuar me fëmijët në vendet e tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore, fëmijët shqiptarë kryejnë vite shkollimi më pak.
Përqindja e fëmijëve që nuk janë regjistruar asnjëherë në shkollë është 4.9%. Më të privuarit për të ushtruar të drejtën e tyre për arsim janë fëmijët rom, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët nga zonat rurale dhe në varfëri, të cilët kanë shumë më pak mundësi se të tjerët për akses në arsim.
Edhe në rastet kur ata kanë akses në shkollë ka më shumë gjasa për ta lënë shkollën herët. Shpenzimet publike në arsim, përbëjnë 2,8% të PBB-së, më i ulët se në të gjitha vendet e rajonit.
Vendet e tjera të rajonit si Serbia dhe Kroacia shpenzojnë një mesatare prej 5-6% të PBB-së për arsimin, dhe vendet e OECD shpenzojnë një mesatare prej 6,3% të PBB-së. Nivelet aktuale të shpenzimeve janë shumë më poshtë objektivit prej 5% të PBB-së të vendosur nga programi aktual qeveritar.
Arsimi është një element i rëndësishëm që ndikon edhe në zgjidhjen e problemit të punës së fëmijëve. Arsimi i mbron fëmijët nga format më të këqija të punës, i ofron fëmijëve një hapësirë më të sigurt nga abuzimi dhe dhuna.
Studimi i parë kombëtar mbi punën e fëmijëve vlerësoi se 7.7% e gjithë fëmijëve të grupmoshës 5-17 vjeç punojnë. Ndërkaq, Bashkimi Europian ka theksuar punën e fëmijëve si një problem që qeveria shqiptare duhet ta adresojë.