Donald Trump mirëpret 3 amerikanët të liruar nga Koreja e Veriut

Tre të burgosurit amerikanë të liruar vetëm një ditë më parë nga Koreja e Veriut kanë mbërritur në Shtetet e Bashkuara, ku ata janë mirëpritur nga presidenti Donald Trump. Lirimi i tyre vjen në prag të samitit historik mes Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, detajet për të cilin do të bëhen publike brenda pak ditësh.

Presidenti Donald Trump ka mirëpritur tre ish të burgosurit amerikanë të liruar nga Koreja e Veriut. Teksa ata mbërritën në Bazën e Forcës Ajrore Andrews pranë Uashingtonit, Trump e konsideroi rastin si një “natë speciale për këta tre burra të mrekullueshëm”. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij Melania, presidenti dhe ish të burgosurit përshëndetën edhe mediat.

Përpara se të mbërrinin në Shtetet e Bashkuara, tre ish të burgosurit Kim Hak-song, Tony Kim dhe Kim Dong-chul falenderuan zotin Trump, sekretarin e shtetit Mike Pompeo dhe popullin amerikan të cilët mundësuan kthimin e tyre në shtëpi. Të tre burrat ishin burgosur në Korenë e Veriut për veprimtari anti-shtetërore dhe ishin vendosur në kampet e punës në vendin e izoluar. Ata fluturuan nga vendi aziatik me zotin Pompeo, i cili konfirmoi se shëndeti i tyre ishte i mirë, nisur nga fakti se tre shtetasit kishin mëse 1 vit që ndodheshin në burg. Sipas Shtëpisë së Bardhë, lirimi është kryer si një gjest i vullnetit të mirë përpara takimit të planifikuar mes zotit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior Kim Jong-un.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kim Jong-un deklaroi se ai kishte pranuar propozimin e Shteteve të Bashkuara për t’i garantuar të burgosurve një amnisti, duke shtuar se takimi i tij me presidentin Trump, do të ishte një “hap i parë i mrekullueshëm” drejt përmirësimit të situatës në gadishullin korean. Sa i përket këtij takimi të shumëpritur, presidenti Trump konfirmoi se vendi dhe data do të bëhen publike “brenda tre ditësh”. Zona e demilitarizuar që ndan dy Koretë është përjashtuar nga vetë kreu amerikan i shtetit si pikëtakim për palët.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush mendoni se duhet të jetë në emër të PD dhe opozitës kandidat për kryebashkiak në Tiranë?