Drejtori i CIA-s mbron torturat

Drejtori i CIA-s, Xhon Brenan, ka pranuar se disa nga metodat e marrjes në pyetje të të burgosurve pas sulmeve të 11 shtatorit kanë qenë të neveritshme, por mbrojti programin në tërësi me pretendimin se ka shpëtuar jetë.

Në deklaratën e parë të tij pas publikimit të raportit të komisionit hetimor të senatit për mënyrat çnjerëzore të marrjes në pyetje të të dyshuarave për terroristë, Brenan pranoi gjithashtu se disa nga oficerët e agjencisë kanë tejkaluar autoritetin dhe duhet të kishin mbajtur përgjegjësi për këtë.

“Ka pasur një numër të kufizuar rastesh kur agjentët kanë përdorur teknika të paautorizuara dhe të neveritshme, që duhen mohuar nga të gjithë. Por gjithsesi është jetike që të njohim se pjesa dërrmuese e agjentëve kanë bërë detyrën e tyre me besnikëri dhe në bazë të ligjit”.

Por ndërsa Brenan fliste, senatorja Dajen Fainstin, e cila kryeson komisionin që publikoi raportin, e kundështonte përmes Tëitter-it drejtorin e CIA-s. Në një mesazh ajo shkruajti: “Brenan thotë se nuk vërtetohet nëse mund t’i kishim marrë informacionet ndryshe. Por studimi ynë tregon se CIA i kishte informacionet para torturave!”.

Në senat ka pasur mjaft zëra për largimin e Brenanit, i cili në vitin 2002, kur nisi edhe program famëkeq, ishte një prej drejtuesve më të lartë të CIA-s. OKB dhe disa grupe të të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për ndjekjen penale të zyrtarëve amerikanë të përfshirë në programin e 2001-2007, ndërkohë që ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dik Çenei, ka pranuar se presidenti Xhorxh Bush ka qenë plotësisht i informuar për atë që ndodhte.

SHKARKO APP