Droni shpërthen pranë kufirit Bullgari-Rumani, autoritetet nisin hetimet

Një incident me një dron të paidentifikuar ka alarmuar autoritetet në Bullgari, pasi mjeti fluturues shpërtheu pranë kufirit me Rumaninë.

Sipas të dhënave paraprake, droni hyri në hapësirën ajrore bullgare nga territori rumun dhe shpërtheu rreth një kilometër larg një stacioni kompresimi të gazsjellësit Transballkanik, në afërsi të ish-pikës kufitare të Kardamit.

Kryeministri bullgar, Rumen Radev, bëri me dije se zhurma e mjetit fluturues ishte dëgjuar fillimisht nga policia kufitare rumune. Pak më vonë, patrullat bullgare raportuan një shpërthim të fuqishëm.

Swiss Digital Desktop Reklama

Autoritetet identifikuan shpejt vendin ku kishte rënë droni, ndërsa nga incidenti nuk pati viktima dhe as dëmtime në ndërtesa apo në infrastrukturën energjetike pranë zonës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Megjithatë, incidenti ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e hapësirës ajrore, pasi Radev pranoi se sistemet e monitorimit të Bullgarisë dhe Rumanisë nuk arritën ta zbulonin dronin gjatë fluturimit të tij mbi territorin e dy vendeve.

Pas shpërthimit, autoritetet kanë forcuar masat e mbikëqyrjes në zonën kufitare dhe kanë nisur hetimet për të përcaktuar llojin, origjinën dhe itinerarin e mjetit.

Kardami ndodhet pranë një prej korridoreve të rëndësishme energjetike të rajonit. Zona lidhet me Korridorin Vertikal të Gazit, përmes të cilit furnizimet me gaz nga Greqia mund të transportohen drejt vendeve të Europës Juglindore dhe Qendrore.

Ngjarja vjen në një periudhë kur incidentet me dronë janë shtuar në zonat përreth Detit të Zi, në një kohë kur lufta në Ukrainë vazhdon. Në fund të korrikut, Rumania raportoi rrëzimin e tre dronëve, ndërsa të paktën një prej tyre u identifikua si një mjet i tipit “Shahed”, i përdorur nga forcat ruse.

Bullgaria dhe Rumania, të dyja anëtare të NATO-s, kanë rritur vigjilencën ndaj incidenteve që mund të lidhen me konfliktin në Ukrainë, veçanërisht pranë infrastrukturës strategjike dhe zonave kufitare.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?