Dubai, vihet në punë roboti polic, turistët dynden për të bërë foto
Pas patrullave me automjete sportive të tipit “Lamborghini” apo “Ferrari”, policia e Dubait ka vënë në shërbim një oficer robot, i cili do të përfaqësojë një të katërtën e efektivëve deri në vitin 2030. Ky prototip u paraqit pardje në mbrëmje në Burj Khalifa, kulla më e lartë në botë që kulminon në 828 metra dhe tërhoqi menjëherë kuriozitetin e publikut. Turistët, residentët e huaj dhe lokalë u dyndën për të bërë “selfie” përkrah këtij roboti të çuditshëm, që qarkullonte në rrugë. I veshur si polic, roboti është i pajisur me një komjuter në nivelin e gjoksit që shërben për të informuar policinë për krimet e mundshme apo për të dhënë informacione për shkeljet rrugore. “Objektivi ynë është që robotët të përbëjnë 25 për qind të efektivëve tanë deri në 2030”, deklaroi gjenerali i brigadës Khaled al-Razzouqi, një oficer i policisë së Dubait. Roboti është i pajisur gjithashtu me një kamera që transmeton imazhet direkte në sallën operative të policisë. Ai është i aftë të identifikojë personat e kërkuar nga policia. “Robotët do të vendosen kryesisht në zonat turistike”, theksoi oficeri duke pranuar se ai nuk mund të zëvendësojë policët nëse bëhet fjalë për arrestime. Policia e Dubait ka tërhequr vëmendjen në botë duke rikthyer automjetet sportive në flotën e saj të makina. Dubai bën pjesë në Emiratet e Bashkuara Arabe ku përqindja e kriminalitetit është e ulët.
KOHA JONË SONDAZH

