“Dukej si 11 Shtator”, pamje apokaliptike nga shembja e ndërtesës 12 katëshe, dhjetëra të zhdukur
Të paktën një person ka vdekur dhe dhjetë të tjerë mbetën të plagosur nga shembja e pjesshme e një ndërtesë banimi 12-katëshe në Surfside, një qytet në veri të Miami Beach në Florida.
Ndërkohë 99 persona të tjerë figurojnë të zhdukur. Mediat raportojnë se në mesin e tyre është motra e zonjës së parë të Paraguait dhe 20 shtetas izraelitë.
Autoritetet thonë se është e paqartë se sa njerëz ishin në ndërtesë në momentin kur ndodhi shembja.
Kompleksi në qytetin Surfside u ndërtua në 1980. Nga 130 njësi, rreth gjysma u prekën nga shembja.
Një numër i migrantëve të Amerikës Latine janë raportuar të zhdukur nga konsullatat e tyre.
Ekipet e shpëtimit nxorën 35 persona nga rrënojat, thanë zyrtarët. Dhjetë u vlerësuan dhe u trajtuan, nga të cilët dy u dërguan në spital.
Qindra zjarrfikës dhe ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet për të mbijetuarit në një skenar apokaliptik, me qen dhe dronë.
Imazhet e kamerave të vëzhgimit në zonë, të treguara nga rrjetet amerikane, lënë pak shpresë për të gjetur të mbijetuar të tjerë, përveç 35 tashmë të nxjerrë nga rrënojat.
“Unë kurrë nuk kisha parë kaq shumë ambulanca në jetën time, dukej si një skenë nga 11 shtatori”, thonë disa dëshmitarë, “është sikur një bombë që ka shpërthyer”.
“Më keq se një tërmet”, thonë të tjerë.
Shikoni fotot para dhe pas shembjes