DW: Afro-amerikanët ende më të varfër, më të sëmurë dhe më pak të arsimuar

Diskriminimi i vazhdueshëm kundër afrikano-amerikanëve është një nga arsyet kryesore për protestat masive pas vdekjes së George Floyd. Në SHBA ende ekzistojnë ligje që çimentojnë pabarazinë.

“Unë dua që ta dini se jeni të rëndësishëm, ” tha ish-Presidenti amerikan Barack Obama para të rinjve afrikano-amerikanë.” Unë dua që ju ta dini se jeta juaj është e rëndësishme, që ëndrrat tuaja janë të rëndësishme, ” tha ai në një fjalim për protestat pas vdekjes së George Floyd nga dhuna e policisë.

Por shumë afrikano-amerikanë në Shtetet e Bashkuara nuk besojnë se janë të rëndësishëm dhe se mund t’i realizojnë ëndrrat e tyre dhe protestat masive të njerëzve të të gjitha ngjyrave drejtohen më shumë sesa kundër dhunës së policisë. Fjala është edhe për eleminimin e racizmit dhe pabarazinë sociale që rezulton prej tij.

Ende nuk është kapërcyer diskriminimi shekullor?

Që nga Ligji për të Drejtat Civile (Civil Rights Act) të vitit 1964, afro-amerikanët kanë status të barabartë ligjor dhe “ndarja raciale” është e paligjshme. Shumë programe të të ashtuquajturit Veprim Pohues duhet të kompensojnë disavantazhet e afrikano-amerikanëve, për shembull duke u rezervuar vende në universitet. Por deri më sot, popullsia e bardhë që përbën shumicën është mesatarisht më e pasur, më e arsimuar dhe më e shëndetshme.

Një çerek më pak të ardhura

Gjatë dekadës së kaluar të ardhurat mesatare të popullatës afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara kanë qenë midis 20 dhe 25 përqind më të ulëta se ato të amerikanëve të bardhë. Dhe kjo nuk është për shkak të disa njerëzve shumë të pasur si multi miliarderët Bill Gates ose Jeff Bezos. Fjala këtu është për numrin e atyre të ardhurat e të cilëve janë nën nivelin e të ardhurave mesatare.

Racizëm strukturor

“Ekzistojnë një numër ligjesh dhe praktikash ligjore që kanë një ndikim më negativ tek afrikano-amerikanët sesa në grupet e tjera të popullsisë,” thotë Christian Lammert, politolog në Institutin John F. Kennedy në Universitetin e Lirë të Berlinit. “Kjo përfshin zbatimin e ligjit, arsimin dhe kujdesin shëndetësor.”

Ky racizëm strukturor ka një traditë të gjatë në SHBA, thotë Lammert. Kur qeveria miratoi sistemin e sigurimeve shoqërore në vitin 1935, ajo përjashtoi ndër të tjera punëtorët e fermave, punëtorët sezonalë, apo ata që punonin si ndihmës për punët e shtëpisë – pra profesione me të ardhura të ulëta, në të cilat qenë të punësuar shumë më tepër zezakë se sa të bardhë.

Sot sipas Lammert një shembull për racizmin struktural është politika ndaj drogave: “Veprat penale që lidhen me drogat që kryesisht konsumojnë zezakë ndëshkohen shumë më rëndë, sesa është rasti me drogat design, që përdoren kryesisht në Wall Street”. Kjo është një arsye e rëndësishme pse zezakët ka tri herë më shumë të ngjarë të përfundojnë në burg sesa të bardhët – gjë që ndikon edhe në mundësitë e tyre për t’u arsimuar dhe për avancimin profesional.

Rreth socio-ekonomik vicioz

Situata është e ngjashme në politikën shëndetësore. Në SHBA nuk ka sigurim të përgjithshëm shëndetësor dhe vetëm ata që fitojnë mirë, ose kanë një punëdhënës që ua paguan, kanë sigurim shëndetësor. Në vitin 2018, sipas një studimi të Fondacionit Kaiser Family, 11.5 përqind e afrikano-amerikanëve nuk kishin sigurim shëndetësor, kurse në radhët e amerikanëve të bardhë kjo shifër ishte vetëm 7.5 përqind.

Edhe pse “ndarja racore” zyrtarisht është e ndaluar, ajo në të vërtetë vazhdon të ekzistojë në shumë zona: afrikano-amerikanët shpesh jetojnë shpesh në lagje dhe komunitete afrikano-amerikane dhe të bardhët me të bardhët. “Kujdesi shëndetësor është shumë më i keq në lagjet e zezakëve sesa në zonat me popullsi kryesisht të bardhë”, shpjegon Lammert. Situata është e ngjashme për shkollat: “Cilësia e shkollave në lagjet e të zinjve është shumë më e keqe sesa në tek të bardhët. E njëjta vlen edhe për shanset e njerëzve me ngjyrë në tregun e punës”.

Gjendja më e dobët shëndetësore apo ushqimi më i keq reflektohen edhe në jetëgjatësi. Sipas shifrave zyrtare të Qendrës Kombëtare të Statistikave të Shëndetit, aktualisht jetëgjatësia e afrikano-amerikanëve është pothuajse katër vjet me e ulët se e të bardhëve. Kjo duket tani qartë edhe tek numri i të vdekurve prej pandemisë COVID-19: ndër të vdekurit numrin më të madh e përbëjnë afrikano-amerikanët për shkak të shëndetit të tyre më të dobët, si dhe kujdesit shëndetësor më të dobët në lagjet e tyre – ose sepse thjesht nuk mund ta përballojnë që të mos shkojnë në punë. DW

SHKARKO APP