E martuan me dhunë/ 14-vjeçarja tenton t’i japë fund jetës, pret damarët e dorës

Ishte martuar me një djalë nëntë vjet më të vjetër, por ende pa i mbushur një muaj martesë, 14-vjeçarja kishte kërkuar të ndahet nga ai. Kërkesën e së miturës nga Peja, për t’u ndarë nga bashkëshorti 23-vjeçar, nuk e kishte përkrahur as familja e vet, as ajo e burrit.

Pasi babai i kishte thënë se nëse ndahet nga bashkëshorti, nuk do ta pranojë më në shtëpi, 14-vjeçarja kishte zgjedhur rrugën më të rëndë. Ajo kishte tentuar të vetëvritet duke i prerë venat e dorës, por ishte dërguar në spital dhe kishte shpëtuar.

Pas trajtimit mjekësor, të miturën e kishte pranuar familja në Pejë, ku edhe po qëndron pas ndarjes nga bashkëshorti. Edhe pse ajo u kthye në familjen e saj dhe u nda nga bashkëshorti, për martesën e saj në moshë të mitur nuk do të mbesin pa u ndëshkuar familjarët e saj dhe të ish-bashkëshortit nga Rogova e Gjakovës.

Drejtori rajonal i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta ka treguar për Gazetën Express se tashmë është ngritur kallëzim penal ndaj të dyshuarve lidhur me këtë rast.

Graishta ka theksuar se aktakuza është ngritur ndaj katër personave. Përveç ish-burrit dhe prindërve të 14-vjeçares, policia ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ish-vjehrrit të saj.

Ish-vjehrri i së miturës, E.G., dyshohet se i kishte bërë presion asaj që të qëndrojë e martuar me djalin e tij.

SHKARKO APP