Edhe dy mjekë ndërruan jetë, deri tani 69 doktorë humbën jetën në luftën me COVID-19
Dy mjekë kanë ndërruar jetën në Itali gjatë ditës së sotme duke çuar në 69 numrin e mjekëve viktimë me koronavirus.
Ndërsa numri i punonjësve sanitarë të infektuar ka arritur mbi 10 mijë. Sindikata e mjekëve dhe infermierëve italianë informon se 20% e tyre janë mjekë e shumica të shtruar në repartet e terapisë intensivë dhe të reanimacionit.
Italia ka regjistruar një ditë më parë mbi 110 mijë të infektuar nga COVID 19 e gati 10% janë punonjës shëndetësor.
Urdhri i mjekëve dhe infermierëve italianë vazhdon të denoncoj mungesën e instrumenteve mjekësore individualë mbrojtës.
Një ditë më parë Departamenti i Mbrojtjes Civile i furnizoi me 620 mijë maska sanitare, por që rezultuan jo në konform me kërkesat e tyre dhe jo të përshtatshme për t’u përdorur për personelin mjekësor.
Guvernatori i rajonit të Lombardisë Atilio Fontana gjatë një konference për shtyp , të mbajtur gjatë ditës së sotme, akuzoi qeverinë italiane për materialet e pakta që po sjell në këtë rajon kaq të goditur nga pandemia.
“Nga qeveria e Romës, tha ai, u bë 1 muaj e gjysmë nga emergjenca dhe na mbërrijnë vetëm thërrime. Deri më tani kanë mbërritur vetëm një pjesë shumë e vogël e materialeve që ne kemi kërkuar”.