Egjipti merr ”peng” anijen që bllokoi për 6 ditë Kanalin e Suezit
Anija gjigante e mallrave “Ever Given” bllokoi për 6 ditë Kanalin e Suezit në Egjipt. Për ta lëvizur atë e për të zhbllokuar një nga rrugët ujore me trafikun më të madh detar u nevojit një operacion i gjerë. Tashmë kur gjithçka ka marrë fund, Egjipti kërkon 1 miliard dollar dëmshpërblim.
Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit të Kanalit të Suezit (SCA), Ossama Rabei, paralajmëroi se anija me vlerë 3,5 miliardë dollarë nuk do të lejohet të largohet nga Egjipti nëse çështja do të shkojë në gjykatë. Ai sqaroi se nëse hetimet do të kryheshin normalisht dhe kompensimi do të shlyhej, atëherë anija mund të lundronte sërish.
Një ditë më parë, të enjten, menaxherët e anijes thanë për “Associated Press” se ekuipazhi i anijes po bashkëpunonte me autoritetet në hetimin për zbulimin e shkakut të aksidentit me pasoja të mëdha. Ata u shprehën se autoriteteve u është dhënë edhe “kutia e zezë” e anijes.
Egjipti kërkon kompensim për kostot e operacionit të shpëtimit, por edhe për pasojat e bllokimit të kanalit nga kompania japoneze që ka në pronësi anijen, por këta të fundit kanë reaguar duke thënë se aksidenti nuk ka ndodhur për fajin e tyre.