Ekonomia botërore, në “mjegull”, OECD: Do të rritet me 2.9% këtë vit dhe tjetrin. E kanë fajin qeveritë!

Ekonomia botërore po rritet me normën më të ngadaltë që prej krizës financiare, ndërkohë që qeveritë i’a kanë lënë punën bankave qendrore që të nxisin investimet, sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).   Ekonomia botërore projektohet të rritet me normën më të ulët në një dekadë prej 2.9% këtë vit edhe tjetrin, bëri të ditur organizata në raportin “Perspektiva Ekonomike”, duke ulur parashikimet e dhëna gjatë Shtatorit.

Organizata theksoi se ekonomia mund të rritet përsëri me 3% në vitin 2021, por vetëm nëse trajtohen një serë rreziqesh si lufta tregtare dhe ngadalësimi i ekonomisë kineze.   Një shqetësim më i madh është se qeveritë po dështojnë të trajtojnë sfida si ndryshimi klimatik, digjitalizimi i ekonomive dhe prishja e rendit multilateral që u shfaq pas rënies së komunizmit.  “Është dështim të konsiderohen këto ndryshime si faktorë të përkohshëm që mund të trajtohen me politika monetare apo fiskale, pasi i përkasin natyrës strukturore”,  deklaroi OECD.

Ndër ekonomitë kryesore, SHBA u projektua në rritje me 2.3% këtë vit dhe 2% në 2020,  ndërkohë që vrulli i shkaktuar nga reduktimet tatimore është zbehur.  Kina, që nuk është anëtare e OECD por që ndiqet nga organizata, pritet të rritet me 6.2% këtë vit, megjithatë do të humbasë vrull në 5.7% në vitin 2020, për shkak të luftës tregtare dhe ndryshimit të strukturës së ekonomisë.

Eurozona u parashikua në rritje me 1.2% në 2019 dhe 1.1% në 2020, në rritje me 0.1% për të dy vitet.  Megjithatë, organizata paralajmëroi se rinisja e programit të blerjes së obligacioneve nga Banka Qendrore Europiane do të ketë ndikim minimal nëse qeveritë e zonës euro nuk nxisin investimet.

SCAN

SHKARKO APP