Ekstremistët grisin Kuranin dhe përplasen me policinë

Grumbullimet dhe protestat në këtë kohë të Covid-19, janë shtuar edhe pse janë të ndaluara. Përplasjet gjatë marshimeve anti-myslimane në Oslo të Norvegjisë, detyruan autoritetet t’i jepnin fund manifestimit më parë nga ç’ishte parashikuar.

Situata u tensionua kur një anëtare e grupit ekstremist grisi faqet e Kuranit duke i pështyrë ato. Përplasjet fizike nisën kur kundër-protestuesit filluan të godisnin anëtarët e grupit ekstremist me vezë teksa u munduan të çanin edhe barrikadat e policisë.

Disa prej besimtarëve myslimanë filluan të godisnin edhe furgonët e policisë, teksa autoritetet u detyruan të përdorin gaz lotsjellës për t’i dhënë fund marshimit. Policia arrestoi 29 persona, prej te cilëve shumë ishin minorenë.

Protesta në Norvegji vjen pas një proteste të ngjashme në shtetin fqinj, Suedinë, ku të premten protestuesit u përplasën me policinë në qytetin e Malmo-s, pasi grupet dogjën një kopje të Kurani. Manifestimi i nisur dhe mbështetur nga politikani danez, Rasmus Paludan, të cilit iu mohua hyrja në Suedi, kishte në fokus përdhosjen e Kuranit dhe thirrje anti-islamike.

SHKARKO APP