Estonia blen gjashtë sisteme raketash “Chunmoo” nga Koreja e Jugut
Estonia ka njoftuar blerjen e gjashtë sistemeve të lëshimit të raketave të shumëfishta dhe municioneve për gati 290 milionë euro (rreth 340 milionë dollarë) nga Koreja e Jugut. Ky vendim është pjesë e përpjekjeve të anetares së NATO-s për të forcuar aftësitë mbrojtëse dhe për të rritur kapacitetin e përgjithshëm ushtarak, duke u përballur me kërcënimet e sigurisë në rajon.
Sipas Qendrës Estoneze për Investime në Mbrojtje (ECDI), dërgesat e sistemeve vetëlëvizëse të armëve “Chunmoo” pritet të fillojnë në gjysmën e dytë të vitit 2027. Ministri estonez i Mbrojtjes, Hanno Pevkur, tha se kjo blerje, përveç raketave amerikane HIMARS, do të rrisë ndjeshëm aftësinë parandaluese dhe mbrojtëse të Estonisë dhe të NATO-s në tërësi.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur që përveç HIMARS-it, tani po përfitojmë edhe nga sistemi ‘Chunmoo’ i Koresë së Jugut, i cili do të forcojë ndjeshëm kapacitetin tonë mbrojtës”, deklaroi Pevkur.
Ky vendim vjen në një kohë kur lufta e Rusisë kundër Ukrainës shihet si një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Estonisë. Për këtë arsye, qeveria ka rritur ndjeshëm shpenzimet ushtarake dhe po ndërmerr një modernizim të gjerë të forcave të saj të armatosura. Programi i modernizimit përfshin përmirësimin e pajisjeve, stërvitjen e trupave dhe përforcimin e kapaciteteve të mbrojtjes raketore.
Ekspertët e sigurisë shprehin se blerja e sistemeve “Chunmoo” do të kontribuojë në forcimin e mbrojtjes territoriale, duke ofruar një kapacitet të avancuar raketor që mund të përdoret për të parandaluar çdo kërcënim të mundshëm. Për Estoninë, kjo blerje është gjithashtu një mesazh i fortë për aleatët e NATO-s, duke treguar angazhimin e vendit për të kontribuar në sigurinë kolektive të rajonit.
KOHA JONË SONDAZH

