Europa Perëndimore përfshihet nga i nxehti ekstrem

E gjithë Evropa perëndimore është përfshirë nga i nxehti ekstrem, me turmat në distancim social, në kërkim të shpëtimit në shatërvanë, pishina e plazhe në një kohë kur autoritetet vazhdojnë të paralajmërojnë për rreziqet e shëndetit e rreziqet e zjarreve po ashtu.

Nga Britania në Itali, temperaturat mbi 40 gradë celcius i kanë bërë maskat thuajse të padurueshme ndërkohë që gjithnjë e më shumë qytete i kanë bërë të detyrueshme ato për të parandaluar rritjen e rasteve të koronavirusit.

“Pavarësisht të nxehtit përvëlues, është më mirë të durosh vapën se sa të marrësh koronavirusin”.

14 qytete italiane janë vënë në gjendje alarmi për shkak të të nxehtit ndërsa Franca ka lëshuar paralajmërime për rreth një të tretën e vendit. Zyrtarët në Paris kanë kufizuar qarkullimin e makinave për të kufizuar ndotjen e ozonit ndërsa dhjetëra e mijëra francezë nisën udhëtimin për pushime drejt zonave me klimë më të freskët.

Në Holandë, plazhistëve iu kërkua të evitojnë disa zona të shumëpopulluara ku nuk mund të ruheshin distancat sociale.

Në Britaninë e Madhe, shërbimi kombëtar i motit tha se e premtja ishte dita më e nxehtë e vitit. Shumëkush në kryeqytet u ngjit në trena për t’iu drejtuar brigjeve të detit. Austria dhe bullgaria po ashtu raportuan ditën më të nxehtë të këtij viti, me Vjenën që iu afrua 40 gradëshit celcius para se një stuhi verore të sillte pak freski. Ndërsa në Spanjë mërkuri në termometër u ngrit në mbi 40 gradë celcius dhe pishinat ishin të shumëkërkuara pavarësisht kërkesës për mbajtjen e maskës.

Në Gjermani, që po ashtu shënoi ditën më të nxehtë të saj për 2020, pishinave publike iu vunë kufizime për numrin e personave në përpjekje për të reduktuar rrezikun e infeksioneve, me biletat hyrëse që shiteshin online, mbylljen e dysheve apo kabinave të zhveshjesh dhe një distance prej 1.5 metrash që duhej ruajtur në pishinë dhe jashtë saj. E njëjta kërkesë edhe për lumenjtë dhe liqenet. Ndërkohë nga e shtuna e në vijim, Evropa perëndimore mund të marrë frymë pak lirisht pasi sic tregojnë parashikimet, temperaturat do të bien në nivele të pranueshme sërish.

SHKARKO APP