Europianët përfshihen në Bankën kineze, irritohet SHBA

Gjermania, Franca dhe Italia kanë shpërfillur kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe i janë bashkuar Britanisë së Madhe si aksionerë në Bankën Aziatike të Infrastrukturës dhe Investimeve, me seli qendrore në Kinë.

Uashingtoni e sheh AIIB-në si rivalen lindore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, dhe shpesh ka kundërshtuar praktikat financiare të ndjekura nga Pekini.

Nisma u mbrojt nga Ministrat e Financave të tre vendeve, si dhe nga Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulc, i cili ishte vetë në Pekin ku u takua me Presidentin kinez, Xi Jinping.

“Së pari, më duket gjë e mirë që u bashkuan. Së dyti, sa më shumë vende anëtare të bashkohen, aq më mirë do të jetë. Por ka edhe një element shtesë. Kjo organizatë e re duhet t’i përgjigjet kërkesave të standardeve ndërkombëtare. Dhe ky është element i rëndësishëm”.

Banka Aziatike e Infrastrukturës dhe Investimeve u krijua vitin e kaluar me synimin për të ndihmuar në zhvillimin e industrisë së transportit, energjitikës dhe telekomunikacionit në Azi.

Kina ka raportuar se në total 26 vende janë bashkuar si themeluese, shumica nga Azia dhe Lindja e Mesme.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë këtë lëvizje të vendeve europiane si përpjekje për t’u bashkuar me ekonominë kineze, e dyta më e madhe në botë, pavarësisht se Bashkimi Europian dhe Uashingtoni janë në bisedime për një marrëveshje të tregtisë së lirë.

Uashingtoni ka ndikim të madh në politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe zakonisht i preferuari amerikan zgjidhet në krye të Bankës Botërore.

SHKARKO APP