Evropa në “luftë” me COVID-19, Austria vendi i parë që heq masat shtrënguese

Austria sheh dritë në fund të tunelit dhe fillohen lehtësimin e masave shtrënguese në fuqi pas 14 prillit. Asgjë nuk do të jetë si më parë dhe qytetarët janë të detyruar të mbajnë maska në publik. Kancelari Sebastian Kurz, ndërkohë kërkoi vazhdimin e distancimit fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit. 

Austria pritet të jetë vendi i parë europian që do të lehtësojë masat kufizuese, duke filluar nga java e ardhshme. Kancelari Sebastian Kurz, ndërkohë kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë distancimin fizik, si masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Ai gjithashtu tha se Austria paraqitet më mirë se çdo vend tjetër në Europë në lidhje me luftimin e koronavirusit.

“Synimi ynë është 14 prilli. Dyqanet e vogla deri në 400 metra katrorë mund të hapen sërish, nën kushte të rrepta sigurie. Por me masat paraprake të nevojshme si vendosja e detyrueshme e maskave, një numër i kufizuar i klientëve dhe dezinfektimi i rregullt. Restorantet dhe hotelet do të jenë në gjendje të hapen gradualisht nga mesi i majit, dhe ne do të marrim një vendim në fund të prillit”, shpjegoi Kurtz.

Ai shtoi se nëse plani i qeverisë shkon mirë, dyqanet më të mëdha do të rihapen nga një maji, ndërsa nga mesi i majit, shtoi Kurz, do të mund të rihapen dhe hotelet apo shërbimet e tjera.

Megjithatë, kufizimet e lëvizjes që Austria ka vënë për frenimin e përhapjes së koronavirusit do të mbeten në fuqi dhe qeveria u bën thirrje qytetarëve që të mos i festojnë Pashkët jashtë shtëpive.

Kurz tha se shkollat do të mbeten të mbyllura deri në mes të majit, asnjë maturant nuk do të ngelë këtë vit dhe të gjithë do të pranohen në provime.  Të gjitha provimet përfundimtare do të mbahen nën masa speciale, ndërsa universitetet do të qëndrojnë të mbyllura deri në fund të semestrit.

 “Mendoj se çdo gjë duhet t’i kthehet normalitetit, por kjo me kujdes maksimal dhe jo përnjëherësh. Ne jetojmë në një shoqëri të lirë perëndimore dhe mendoj se nuk mund të mbahemi të mbyllur për një kohë të gjatë,” thotë Clemens, një student i arteve.

Austria, një vend me 8.8 milionë banorë, ka aktualisht 12,058 të infektuar me koronavirus, 204 viktima dhe 2,998 të shëruar.

SHKARKO APP