Figurat kryesore që priten të jenë në kabinetin e Joe Biden. Më shumë pushtet për gratë
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka nominuar një nga kabinetet më të larmishme në histori me disa figura të njohura nga administrata e mëparshme e Presidentit Barack Obama. Shumë nga të nominuarit për qeverinë e ardhshme të Biden do të duhet të konfirmohen nga një shumicë votash në Senat, gjë që mund të jetë më e lehtë se sa hamendësohej në fillim për demokratët pas fitores së dy vendeve në senat në Georgia. Në kalendar janë caktuar disa seanca javën e ardhshme pasi Biden të betohet si Presidenti i 46-të i SHBA-së.
Zv/President-Kamala Harris
Kamala Harris , 56 vjeçe, është e para grua që zgjidhet zëvendës-presidente. Ish-kryeprokurore e Kalifornisë dhe e para grua me prejardhje nga Azia e Jugut që qe zgjedhur në Senat, ajo vjen nga një familje emigrantësh, babai nga Xhamajka dhe e ëma nga India. Ajo ka qenë një nga figurat më të zëshme të lëvizjeve për më shumë të drejta civile dhe kundër dhunës së grave.
Sekretar i Shtetit-Antony Blinken
Anthony Blinken, 58 vjeç, do të jetë kryediplomati i administratës Biden, ai që do të drejtojë marrëdhëniet e jashtme të SHBA-së me vendet e tjera. Kjo do të thotë se ai do të jetë figura kryesore e administratës dhe të ketë kontaktet kryesore me udhëheqësit evropianë. Blinken ka qenë Zv/Sekretar i Shtetit në administratën Obama dhe ka qenë këshilltarë i Bdien-it për politikën e jashtme që prej vitit 2002.
Sekretar i Mbrojtjes-Lloyd Austin
Lloyd Austin, 67 vjeç, do të jetë i pari afro-amerikan që mban postin e Sekretarit të Mbrojtjes. Ai do të drejtojë kështu departamentin më të madh dhe më me shumë fonde të kabinetit.Austin është një gjeneral në lirim, me më shumë se 40 vite shërbim karriere në ushtri. Ai ishte drejtuesi kryesor i fushatës ushtarake që nisi kundër Shtetit Islamik në Irak dhe Siri.
Sekretar i Thesarit-Janet Yellen
Janet Yellen, 74 vjeçe, do të jetë e para grua që do të drejtojë Thesarin e Shteteve të Bashkuara, duke drejtuar kështu politikat makroekonomike amerikane, të cilat ndikojnë prej dhjetëra vitesh ekonominë botërore.Ajo është ish-drejtuesja e Rezervave Federale, bankës qendrore të SHBA-së, e para grua që udhëhoqi sistemin bankar amerikan. Gjithashtu në karrierën e saj ajo ka qenë këshilltare e ish-Presidentit Bill Clinton.
Prokuror i Përgjithshëm-Merrick Gerland
Merrick Gerland, 68 vjeç, është i njohur për publikun amerikan pasi në vitin 2016 ishte kandidatura e Presidentit Barack Obama për në Gjykatën e Lartë. Asokohe republikanët, të cilët kontrollonin shumicën e Senatit, e rrëzuan kandidaturën e tij.Gerland përshkruhet në opinionin publik si i moderuar, sidoqoftë, ai ka spikatur si drejtues i Gjykatës së Apelit në Washington. Nën udhëheqjen e Biden, ai do të bëhet drejtuesi i Departamentit të Drejtësisë dhe do të udhëheqë anën juridike të qeverisë federale.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve-Dr. Rochelle Walensky
Rochelle Walensky, 51 vjeçe, do të drejtojë agjencitë kryesore të shëndetësisë në kabinetin e Biden me objektivin kryesor vënien nën kontroll të pandemisë së COVID-19. Walensky ka drejtuar pavijonin e sëmundjeve infektive në Spitalin e Massachusetts dhe është profesoreshë e mjekësisë në Harvard. Në karrierën e saj Walensky është e njohur përgjithësisht për punën e kryer për hulumtimet rreth virusit HIV/AIDS dhe zhvillimit të mënyrave parandaluese të përhapjes së tij.
I Dërguari Special i Presidentit për Klimën-John Kerry
Ish-Sekretari i Shtetit në presidencën e Obamës, John Kerry, 77 vjeç, do të shërbejë në kabinetin e Biden si i dërguar i posaçëm për klimën. Karry ka qenë ai që negocioi në emër të SHBA-së për nënshkrimin e Marrëveshjes së Parisit në vitin 2015 në Kombet e Bashkuara dhe gëzon një familjaritet të madh me udhëheqësit evropian. Në vitin 2016 Kerry vizitoi zyrtarisht Tiranën ku pati takime të niveleve të larta me udhëheqësit politikë të Shqipërisë.
Ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara-Linda Thomas-Greenfield
Linda Thomas-Greenfield, 69-vjeçe ka shërbyer si diplomate për 35 vite, përpara se të tërhiqej në vitin 2017. Ajo ka punuar me kabinete të ndryshme duke shërbyer në Liberi, Zvicër, Pakistan, Kenia, Gambia, Nigeri dhe Xhamajkë. Në kabinetin e Obamës ka punuar si ndihmëse-asistente e Sekretarit për Marrëdhëniet me Afrikën.
Drejtues i Inteligjencës Kombëtare-Avril Haines
Avril Haines, 51 vjeçe, do të jetë gruaja e parë që drejton inteligjencën kombëtare. Më përpara ajo ka qenë gjithashtu gruaja e parë që mbante postin e zëvendës-drejtoreshës së Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Ka qenë këshilltare për sigurinë e Presidentit Barack Obama.
Sekretari i Sigurisë Kombëtare-Alejandro Mayorkas
Alejandro Mayorkas, 61 vjeç, do të jetë i pari amerikano-latin që do të drejtojë departamentin e Sigurisë Kombëtare. Ai më parë ka qenë Zëvendës-Sekretar i këtij departamenti në periudhën 2013-2016 dhe ka punuar me forcat e rendit për rreth 30 vite. Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka për kompetencë çështjet e emigracionit dhe rendin.