Finalja e referendumit popullor për Kushtetutën ruse, i jep shanse edhe për 2 mandate Putin
Rusia po përmbyll referendumin disaditor për reformën kushtetuese që i jep më shumë fuqi vendimmarrëse Parlamentit por edhe shansin presidentit të vendit, Vladimir Putin, që të garojë për dy mandate të reja gjashtëvjeçare.
Presidenti rus Vladimir Putin ka hapur siparin e ditës finale të referendumit popullor që do i lejojë atij të qëndrojë në karrigen më të lartë të shtetit deri më 2036-ën.
Nën masat mbrojtëse prej pandemisë, i pari i vendit e hodhi votën e tij të mërkurën në favor të reformës më të thellë kushtetuese të këtyre tri dekadave.
Referendumi që ishte planifikuar të mbahej në prill, i paraqit popullit rus dy alternativat po dhe jo për pyetjet a i duhen shtuar kompetencat Parlamentit dhe Gjykatës Kushtetuese, që ligji themelor i shtetit të ketë përparësi mbi atë ndërkombëtar, që Dhoma e Ulët e parlamentit të miratojë kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit, që qeveria të përfshihet më shumë në sferën sociale dhe që të ndalohen martesat mes çifteve homoseksuale.
Me propozimet e reja sanksionohet që presidenti rus shërben për dy mandate 6-vjeçare, por për rastin e Putinit, ky referendum i lejon të garojë përsëri duke i zeruar 4 mandatet e mëparshme.
Aktivistët e rinj në Rusi janë të ndarë për të zgjatjen e mandatit të presidentit, ndërsa moskovitët më të moshuar e mbështesin reformën kushtetuese.
“Presidenti ka shërbyer për disa mandate dhe nuk dua të jetë aty gjithë jetën time. Jam 20 vjeçe dhe po aq vite ka ai si president.”
“Në fillim bëri gjëra të mira por vitet e fundit ka ndryshuar kurs. Faktikisht tani po anojmë drejt Koresë së Veriut, sesa drejt vendeve demokratike si Amerika apo vendet e Bashkimit Europian.”
“Mendoj se reforma është një hap i parë për ndryshime radikale sociale që do i vlejnë njerëzve, klasës punëtore, familjeve, shtetit dhe sigurisë së tij.”
“Unë votova, por për të qenë e sinqertë, nuk i kam lexuar amendamentet. Ç’rëndësi ka të votosh kur të tjerët vendosin për ty, sepse kështu ndodh në vendin tonë. Megjithatë, votova.”
Kur dihet se me ligj referendumi kërkon mbi 50 për qind të votave në favor, sondazhet nxjerrin se dy e treta e qytetarëve rusë i miratojnë propozimet kushtetuese dhe atë për presidentin Putin.