“Financial Times”: Ministrat e jashtëm të BE-së shqyrtojnë zgjerimin e misionit detar “Shields” në Ngushticën e Hormuzit

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet të shqyrtojnë mundësinë e zgjerimit të misionit detar evropian “Aspides” deri në Ngushticën e Hormuzit, në një kohë kur Franca po punon për krijimin e një misioni ndërkombëtar për shoqërimin e tankerëve të naftës.
Qëllimi është garantimi i sigurisë së lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë shkruan gazeta britanike Financial Times, duke cituar një zyrtar të informuar mbi diskutimet që janë aktualisht në zhvillim.
Misioni “Aspides”, ku aktualisht marrin pjesë tre anije nga Franca, Greqia dhe Italia, është i përqendruar kryesisht në mbrojtjen e anijeve tregtare nga sulmet e rebelëve Huthi në ngushticën Bab el-Mandeb, në brigjet e Jemenit.
Zgjerimi i fushëveprimit të operacionit deri në Ngushticën e Hormuzit, të cilën Irani ka kërcënuar ta mbyllë në kuadër të tensioneve në rritje në rajon, do të kërkonte një mandat të ri nga Bashkimi Evropian, sipas të njëjtit zyrtar.
Sipas tij, një mision i përbashkët detar i Bashkimit Evropian dhe i Kombeve të Bashkuara për të garantuar lundrimin e sigurt “duket më i mundshëm” sesa iniciativa të veçuara dypalëshe të vendeve evropiane ndaj Iranit. Komisioni Evropian nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Ndërkohë, Franca po punon me partnerët e saj për krijimin e një misioni të përbashkët detar me qëllim mbrojtjen e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit. Një diplomat francez tha se janë në zhvillim kontakte me disa vende për të siguruar kalimin e sigurt të tankerëve përmes kësaj rruge detare me rëndësi strategjike.
“Po punojmë me një numër partnerësh për të garantuar kalimin e sigurt të tankerëve përmes Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi diplomati, duke shtuar se ministri i Jashtëm i Francës, Jean‑Noël Barrot, do ta diskutojë këtë çështje të hënën me homologët e tij në Bashkimin Evropian.
Më herët gjatë kësaj jave dhe përpara thirrjes së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, drejtuar aleatëve për të kontribuar në mbrojtjen e lundrimit në ngushticë, presidenti francez Emmanuel Macron kishte deklaruar se vendi i tij po punon për krijimin e një “misioni shoqërimi thjesht mbrojtës”, me qëllim rikthimin e funksionimit normal të kësaj rruge detare.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga arteriet më të rëndësishme energjetike në botë, pasi përmes saj kalon rreth një e pesta e eksporteve globale të naftës.
KOHA JONË SONDAZH

