”Financial Times”: Plani i paqes mes Rusisë dhe Ukrainës ka 15 pika
Pas 3 javësh sulme dhe bombardime nga Rusia në Ukrainë, një plan me 15 pika i shtruar në tryezën e negociatave të palës ruse dhe ukrainase mund të sjellë një marrëveshje për paqe.
”Financial Times”, raporton se palët kanë bërë progres në bisedime bazuar mbi këtë plan, ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura. Marrëveshja përfshin kushtin që Kievi të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO si dhe të premtojë se nuk do të ketë bazë ushtarake të huaja dhe të mos marrë mbrojtje në armë nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia.
Natyra e garancive perëndimore për sigurinë e Ukrainës, dhe pranueshmëria e tyre për Moskën, mund të rezultojë ende si një pengesë e madhe për çdo marrëveshje.
Zyrtarët ukrainas nga ana tjetër mbeten skeptikë për faktin nëse Presidenti rus Vladimir Putin është vërtet i përkushtuar në arritjen e paqes, apo Moska thjesht po mundohet të blejë kohë për të rigrupuar forcat e saj dhe për të rifilluar ofensivën e saj.
Marrëveshja përfshin gjithashtu dispozita për ruajtjen e të drejtave për gjuhën ruse në Ukrainë, ku ajo flitet gjerësisht edhe pse ukrainishtja është e vetmja gjuhë zyrtare.