Forumi i Davosit, Zelensky akuzon Europën: E humbur dhe e përçarë
Presidenti i Ukrainës, Zelensky vuri Europën në shënjestër gjatë fjalimit të tij në Davos, duke akuzuar liderët e pranishëm se në vend që të veprojnë vetë presin direktiva nga Trump, jo vetëm për luftën në Ukrainë por edhe për kriza të tjera gjeopolitike. Për të Europa është e humbur dhe e përçarë dhe në betejën e aseteve të ngrira ruse, ka fituar Vladimir Putin.
”Një vit më parë, këtu në Davos, unë e mbylla fjalimin tim me fjalët se Europa ka nevojë të dijë si të mbrojë veten. Një vit ka kaluar dhe asgjë ska ndryshuar”,-tha Zelensky në fjalimin e tij në Davos.
”Të gjithë i dhanë vëmendje Groenlandës, dhe është e qartë se shumë udhëheqës nuk dinë çfarë të bëjnë për të. Duket sikur të gjithë po presin që Amerika të qetësohet dhe se kjo çështje do të zgjidhet vetë. Po nëse nuk ndodh kështu, çfarë do të bëhet atëherë? Europa duhet të mësohet të mbrojë veten. Çfarë arrihet duke dërguar 14 apo 40 trupa në Groenlandë? Çfarë mesazhi është ky për Putinin, për Kinën apo për Danimarkën”,-tha Zelensky.
Gjatë fjalimit, Zelensky sugjeroi se Ukraina mund të ndihmojë në mbrojtjen e Europës në rastin e një pushtimi të Groenlandës nga Rusia. Presidenti këshilloi Europën të luajë një rol më muskulor në goditjen e flotës ruse që qëndron në hije dhe tha se Rusia e ka tepër të lehtë të prodhojë raketa pavarësisht sanksioneve.
KOHA JONË SONDAZH

