Franca harton planin në ndihmë të industrisë së makinave që punëson 400 mijë veta
Franca ka përgatitur planin e shpëtimit për industrinë vendëse të prodhimit të makinave. Ky sektor i ekonomisë franceze është goditur fort nga masat kufizuese për pandeminë.
Qeveria franceze do investojë miliarda dollarë për të shpëtuar nga kriza sektorin e prodhimit të makinave.
Në gjithë vendin, kjo industri punonjës gati 400 mijë persona por masat shtrënguese kundër koronavirusit dhe recesioni ekonomik po rrezikojnë falimentimet.
Mbi 30 fabrika prodhimi të makinave dhe pjesëve të këmbimit janë shpërndarë nëpër territorin francez.
“Kriza shëndetësore ka bllokuar masivisht dhe në mënyrë brutale këtë sektor të Francës, pjesë të ekonomisë tonë dhe mijëra vende pune,” njoftoi të martën presidenti francez Emanuel Makron.
Që në orët e para të ditës, kreu i shtetit u konsultua me prodhuesit dhe sindikatat për planin e shpëtimit.
Më herët është bërë me dije se marka kryesore e automobilave francezë, ku shteti ka 15 për qind të aksioneve, do marrë 5 miliardë euro kredi për t’i mbijetuar krizës.
Ndërkohë pritet të njoftohet mbyllja e disa fabrikave dhe vendeve të punës për të kursyer miliarda euro përgjatë tri viteve.
Në një nga uzinat në rajonin e Bretanjës, disa punonjës protestuan duke bllokuar hyrjen e duke kërkuar llogari si do të shpenzohen kreditë e shtetit.
Protestës iu bashkuan edhe politikanë të opozitës.
“Në këtë linjë prodhimi, Renoja ka investuar 120 deri 140 milionë euro në pajisje, dhe nuk e kuptojmë se si kërkojnë ta mbyllën fabrikën brenda ditës.”
“Ka kontradikta në arsyetimin e tyre. Grupi Reno do të kursejë por dhe të ruajë fitimet dhe aksionet në bursa. Ajo që ne duam është punësimi, vendet e punës dhe që Renoja, ky brilant i industrisë franceze, të investojë te makinat në të ardhmen.”
Në muajin prill, si pasojë e masave kufizuese për pandeminë, shitjet e makinave në Francë ranë me thuajse 90 për qind nga viti i kaluar.
Qeveria franceze tani i ka lehtësuar lëvizjet me automjete ndërsa në të ardhmen pret që t’i motivojë konsumatorët të heqin dorë nga makinat e tyre të vjetra dhe të përfitojnë nga skemat më favorizuese për makinat e reja, kryesisht ato elektrike.