Franca ul moshën e vaksinimit, 12 vjeçari i parë në Evropë merr dozën anti-Covid
Franca këtë të martë ka nisur me vaksinimin kundër Covid e personave mbi 12 vjeç. Mediat bëjnë me dije se adoleshenti francez, Perseval Gett vetëm 12 vjeç është personi më i ri i vaksinuar anti-Covid në Evropë.
Nëna e 12 vjeçarit ka theksuar se ka dashur që të vaksinohej sa më shpejt ndaj mëngjesin e sotëm është paraqitur në një qendër vaksinimi në Paris.
“Unë dëshiroja që ta bënte sa më shpejt vaksinën”, ka thënë nëna e adoleshentit.
Ndërkohë tashmë qeveria franceze ka vendosur që të miturit e moshës 12 vjeç e lart kanë të drejtë të vaksinohen kundër Covid-19 , në varësi të pëlqimit të prindërve.
Më parë, mosha minimale për vaksinim në Francë ishte 18 vjeç ose 16 vjeç, nëse personi në fjalë kishte një sëmundje themelore ose kishte qenë në kontakt me një person të prekshëm nga virusi.
Në vendet e pasura të botës, qeveritë po zgjerojnë programet e tyre të vaksinimit për të përfshirë grupmoshat më të reja, të cilët janë në rrezik më të ulët të zhvillimit Covid-19 seriozisht sesa grupmoshat më të vjetra .
Por kufiri 12-vjeçar në Francë është një nga më të ulët në çdo vend të madh të Bashkimit Evropian.