Fshihnin drogën brenda kovave e më pas i groposnin, goditet grupi shqiptar në Greqi

Autoritetet greke goditën ditën e djeshme (30 qershor) një grup shqiptarësh për trafikimin e drogës.

Sipas medieve greke, ata kishin kthyer një fermë të tërë në Ftelia, Mykonos në një magazinë të madhe ku fshehnin lëndën narkotike.

E gjithë sasia e drogës, ishte fshehur në disa kova të cilat më pas ishin groposur në tokë.

Sidoqoftë, aksioni i tyre nuk zgjati shumë, pasi dje një grup efektivësh nga Prokuroria e Drogës së Autoritetit Portual të Mykonos, në bashkëpunim me oficerët e policisë së Prokurorisë së Drogës në Selanik, kryen një operacion të madh në fushat e Ftelia.

Gjatë operacionit u sekuestruan rreth 7.5 kg kanabis, 20.gr kokainë, 2 pistoleta tip “Zastava” 7.62 mm, 3 peshore, 3 telefona dhe 3.935 euro cash.

Informacioni në lidhje me fshehjen e drogës, kishte ardhur kohë më parë në zyrat e Autoritetit Portual të Mykonos. Përfundimisht, pas kontrollit dhe grumbullimit të informacionit, u zbulua dhe se shqiptarët, numri i të cilëve nuk bëhet i ditur, kishin ardhur  ilegalisht në vend dhe ishin përfshirë në tregtinë e drogës, kryesisht kanabis.

Shqiptarët u vunë nën mbikëqyrje dhe u zbulua se ata kishin marrë me qira një shtëpi në zonën e Ftelia, afër plazhit.

Zyrtarët e Prokurorisë së Drogës në Autoritetin Portual të Mykonos tashmë po kryejnë një hetim për të gjetur anëtarët e tjerë të grupit.

SHKARKO APP