Fundi i minierave të qymyrit në Rumani

Qeveria rumune synon të mbyllë dy nga katër minierat ende aktive të qymyrgurit në luginën e Zhiulit, si pjesë e kërkesave të Bashkimit Europian për një ekonomi më të gjelbër.

Mbi 100 rajone të Europës ende nxjerrin qymyrgur për arsye energjetike, dhe sektori punëson rreth 240 mijë persona në nivel kontinenti.

Në Rumani, njëri prej këtyre minatorëve i druhet humbjes së vendit të punës.

“Këtu nuk ka punë të tjera për të bërë. Gjithçka është e mbyllur. Mbetet vetëm të punojmë në lokale, asgjë tjetër,” thotë bashkëshortja e tij.

Me mbylljen e minierave, sipërmarrësit e rinj po mendojnë si të gjejnë mënyra të reja për të shfrytëzuar zhvillimet teknologjike.

Për të konkretizuar revolucionin e gjelbër të premtuar edhe nga administrata aktuale e BE-së, nevojitet kalimi i makinave nga motorët me djegie të brendshme, te makinat me bateri e hidrogjen.

Ish-inxhinieri rumun, Marius Surlea, ka ngritur stacionet lokale të karikimit të makinave me bateri dhe e ka zgjeruar vazhdimisht biznesin e tij nga 3 fillimisht në gati 65 punonjës.

“Kompaninë e kemi ngritur me forca pune profesioniste, duke marrë njerëz nga sektori minerar por edhe të rinjtë nga universiteti lokal. Zhvillimin tonë po e ndihmojnë edhe fondet europiane.”

Pezullimi i aktivitetit minerar në Rumani pritet të nisë nga viti 2024 dhe pasojat socio-ekonomike do të kompensohen përmes një fondi të veçantë rreth 40 miliardë euro përgjatë shtatë viteve të ardhshme, ndërsa një total prej 150 miliardë euro do e plotësojnë investitorët publikë dhe privatë.

SHKARKO APP