Gara presidenciale, debat i ashpër mes kandidatëve

Natën e djeshme, 12 kandidatë demokratë për presidencën amerikane ndanë të njëjtën skenë me një qëllim në mendje; t’u lënë një përshtypje afatgjatë teleshikuesve. ”Ky president është më i korruptuari në historinë moderne, e madje në të gjithë historinë tonë”, deklaroi Joe Biden.

Elizabet Warren, njëra prej pretendenteve kryesore në garën për Shtëpinë e Bardhe, u vu në shënjestër të sulmeve nga rivalët për reformën shëndetësore dhe planin e saj të shpenzimeve. Ata e akuzuan senatoren se refuzon të shprehet nëse do të rrisë ose jo taksat. “Kostot do të rriten për të pasurit dhe korporatat e mëdha. Për familjet e shtresës së mesme do të ulen”, u përgjigj senatorja e Massachusetts.

“Prandaj qytetarët në Midwest janë të frustuar me Uashingtonin. Senatorja e tyre ka një plan për gjithçka, përveçse për taksat”, replikoi me të kandidati Pete Buttigieg. Dy kandidatë të tjerë favorit u vunë gjithashtu nën trysni të shtuar. Joe Biden mohoi shkelje të mundshme në lidhjet me Ukrainën, ndërsa Bernie Sanders u përpoq të shuante dyshimet lidhur me gjendjen e tij shëndetësore pas infarktit që pësoi këtë muaj.

”Djali im nuk bëri asgjë të keqe. Unë nuk bëra asgjë të keqe, thjesht zbatova politikën e Shteteve të Bashkuara për shfarosjen e korrupsionit në Ukrainë”, sqaroi Biden. Në fokus të debatit ishte gjithashtu çështja e Sirisë, me kandidatët që kritikuan vendimin e presidentit Donald Trump për të tërhequr trupat amerikane, duke i hapur rrugën Turqisë dhe Rusisë.

SHKARKO APP