
Protestat e të rinjve të Gjeneratës Z janë përhapur në disa vende të Europës, duke u shoqëruar me përplasje me forcat e rendit, dëme materiale dhe arrestime masive. Demonstratat, të zhvilluara për kërkesa që lidhen me arsimin, kushtet e jetesës dhe krizën ekonomike, përfshinë Francën, Gjermaninë, Zvicrën, Portugalinë dhe Shqipërinë.
Në Francë, mbi 320 mijë persona dolën në rrugë të shtunën, në protesta që u zhvilluan në disa qytete, mes tyre Parisi, Marseja, Bordoja, Lioni dhe Tuluzë. Sipas të dhënave, më shumë se 770 persona u arrestuan. Situata u përshkallëzua në Paris, ku mjete ndezëse u hodhën në drejtim të një grupi xhandarësh dhe efektivësh policie. Për këtë ngjarje, prokuroria ka nisur hetimet për tentativë vrasjeje ndaj personave që ushtrojnë autoritet publik.
Edhe në Gjermani demonstratat përfunduan me incidente të rënda. Në Frankfurt, grupe personash të maskuar sulmuan dhe dëmtuan 17 dyqane, pesë prej të cilave u plaçkitën. Gjatë trazirave u përdorën edhe bomba molotov, ndërsa mbi 100 efektivë policie mbetën të plagosur. Në të gjithë vendin, më shumë se 100 mijë persona marshuan në mbi 30 qytete, nën sloganin “Gen Z regelt”, duke kërkuar ndryshime në sistemin arsimor dhe uljen e kostos së jetesës.
Ndërkohë, në Portugali, policia ndërhyri për të shpërndarë kampet e protestuesve në Lisbonë dhe Porto, të ngritura në kuadër të kundërshtimit të krizës së strehimit. Protestuesit kërkojnë tërheqjen e një projektligji që lehtëson dëbimin e qiramarrësve dhe heq kufizimet për qiratë e kontratave të reja.
Përplasje u regjistruan edhe në Zvicër, ku protestat e paautorizuara në Cyrih dhe Bazel përfunduan me përdorimin e gazit lotsjellës, topave të ujit dhe plumbave të gomës nga policia. Protestuesit iu përgjigjën efektivëve me gurë, shishe dhe fishekzjarrë, ndërsa u raportuan dëme në dyqane dhe automjete.
Në Shqipëri, të rinjtë kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke protestuar kundër akuzave për korrupsion. Tubimi u shoqërua me hedhje gurësh dhe molotovësh drejt policisë, si dhe djegie të koshave të mbeturinave. Sipas Ministrisë së Brendshme, 350 persona u plagosën gjatë protestave, mes tyre 200 efektivë policie, ndërsa 269 të mitur u arrestuan.
