Gjashtë viktima dhe qindra fluturime të anuluara, dëbora shkakton kaos në Europë
Reshjet e dendura të dëborës dhe kushtet e rrezikshme nga akulli kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha të udhëtimeve në mbarë Europën, me gjashtë viktima të raportuara nga moti ekstrem, sipas BBC.
Pesë persona humbën jetën në Francë për shkak të aksidenteve të lidhura me rrugët e mbuluara nga akulli, ndërsa një grua vdiq në Sarajevë pasi një pemë e rënduar nga bora u rrëzua mbi të, në një situatë ku trashësia e dëborës arriti rreth 40 centimetra.
Qindra fluturime janë anuluar në të gjithë kontinentin, duke lënë mijëra pasagjerë të bllokuar në aeroporte, veçanërisht në Paris dhe Amsterdam. Autoritetet paralajmërojnë se ndërprerjet e fluturimeve do të vijojnë edhe gjatë ditës.
Në Francë, tre persona humbën jetën në departamentin Landes për shkak të akullit në rrugë, ndërsa dy viktima të tjera u regjistruan në rajonin e Parisit. Ministri francez i Transportit, Philippe Tabarot, u bëri thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe të punojnë nga shtëpia sa herë që është e mundur, ndërsa 38 departamente u vendosën në alarm portokalli për borë.
Në Paris, aeroporti Roissy Charles de Gaulle anuloi rreth 40% të fluturimeve për disa orë, ndërsa Orly anuloi rreth 25% për të lejuar pastrimin e pistave.
Situatë e rënduar u regjistrua edhe në aeroportin Schiphol të Amsterdamit, ku mbi 400 fluturime u anuluan, shumë prej tyre të kompanisë KLM, e cila njoftoi se po përballej me mungesë të lëngut për shkrirjen e akullit në avionë.
Edhe transporti hekurudhor u prek rëndë, veçanërisht në Holandë, ku shërbimet u ndërprenë përkohësisht për shkak të problemeve teknike, ndërsa trenat Eurostar drejt Parisit u anuluan ose u vonuan.
KOHA JONË SONDAZH

