Gjermanët kundër reparacioneve për Greqinë
Kujtim VANI
Të shtunën fillon punimet në Bruksel “Brussels Group (Grupi i Brukselit), ku do të diskutohet lista e reformave që do të depozitëjë qeveria greke dhe që sipas burimeve qeveritare, parashikojnë suficit primar 1,5% dhe ritëm të zhvillimit ekonomik 1,4%. Aksionet që propozohen përmes listës së reformave parashikojnë për 2015-n të ardhura në nivelin 3 miliardë euro. Të ardhura që në asnjë rast nuk burojnë në reduktim pagash apo pensionesh, garantojnë burimet qeveritare.
1.Lista nuk përfshin masa shtrënguese dhe reformat/aksionet do të lejojnë ristartimin e ekonomisë. Programi është i përpunuar dhe me kosto të përllogaritur, duke parashikuar për 2015-n suficit primar 1,5% të PPB-së, ndërsa do të stimulojë një ritëm pozitiv zhvillimi, që vlerësohet se do të arrijë në 1,4%.
2.Reformat/aksionet për herë të parë nuk do të bien mbi shpatullat e njerëzve të thjeshtë por do të paguajnë më në fund shtresat e pasura.
Populli gjermanë kundër dhënies së reparacioneve Greqisë
Në masën 78% gjermanët shprehen kundër dhënies së reparacioneve të luftës Greqisë, ndërsa në favor të “Grexit” shprehen 45% e të anketuarve (nga 52% që ishin këta para dy javësh). 63% e qytetarëve i cilësojnë si “të këqija” marrëdhëniet ndërmjet të dy vendeve. Sipas rezultateve të sondazhit “Politbarometer” që u realizua për llogari të kanalit të dytë të televizionit publik gjerman, ZDF, në pyetjen “a duhet që Greqia të marrë reaparacione për krimet gjatë periudhës së nazizmit?”, “po” përgjigjet vetëm 15%, “jo” 78% dhe “nuk e di” 7%. Marrëdhëniet Gjermani-Greqi konsiderohen “të mira” nga 33%, “të këqija” nga 63%, ndërsa sa i përket perspekrtivës së këtyre marrëdhënieve, 20% mendojnë se do të përmirësohen, 58% se do të mbeten siç janë dhe 17% se do të përkeqësohen. Në pyetjen nëse “duhet Greqia të vazhdojë të jetë pjesë e euros”, “po” përgjigjen 49% e të anketuarve dhe “jo” 45%. Në sondazhin e mëparshëm, shifrat respektive ishin 40% dhe 52%.
Samaras: Qeveria e SYRIZA-s po e çon vendin në një memorandum të ri
Këshilli politik i Demokracisë së Re ka kritikuar ashpër veprimtarinë e dy muajve të parë të qeverisë së re. “Prioritet i ND është ekonomia reale dhe jeta e përditshme e qytetarit”, nënvizoi në prononcimin e tij kryetari i partisë, Antonis Samaras, ndërsa vlerësoi se “qeveria e SYRIZA-s po e shtyn me shpejtësi vendin në një memorandum të ri”. Gjatë mbledhjes u analizua situata politike, me theks të veçantë në vështirësitë ekonomike që ka vendi, problemet e likuiditetit dhe asfiksia e ekonomisë. Një diskutim i zgjaruar u bë edhe për problemet e tregut. Në vlerësimin e ND, dy muajt e parë të qeverisjes ishin negativë, së pari për ekonominë dhe më pas në çështjet sociale, si arsimi dhe sigurimet shoqërore, problemi i emigracionit, incidente në qendër të Athinës.Një tjetër temë diskutimi ishte për zgjatjen e kontratës së kredisë, të cilën ND e kërkon që të paraqitet në parlament, jo vetëm për diskutim, por edhe për votim, duke pretenduar se në të kundërt nënvleftësohet parlamenti dhe kontrata nuk ka asnjë legjitimitet demokratik.
KOHA JONË SONDAZH

