GJERMANI – Alarm për bombë në një avion të ”Germanwings”

Një fluturim i Germanwings mes Këlnit dhe Milanos u anulua për shkak të një alarmi të rremë për bombë, njoftoi kompania ajrore gjermane, rreth tre javë pas rrëzimit të një prej avionëve të saj në Alpet franceze.

”Alarmi për bombë erdhi nga policia”, theksoi kompania ”Germanwings”, filiali me kosto të ulët i gjigantit ”Lufthansa”, në një komunikatë.

 

“Avioni nuk ishte ngritur ende dhe menjëherë është bërë evakuimi i pasagjerëve”, shtoi kompania.

”Alarmi për bombë është dhënë vetëm pak momente para se avioni të linte aeroportin. Kulla e kontrollit kontaktoi pilotin, i cili i ndaloi manovrat për fluturim dhe e dërgoi menjëherë avionin në zonën e parashikuar për raste të tilla. Pasagjerët dhe ekuipazhi kanë lënë avionin në mënyrë të urdhëruar”, theksoi ”Germanwings” në një komunikatë.

”Avioni i është nënshtruar menjëherë kontrollit të detajuar nga ekipet anti-eksploziv dhe qentë e tyre”, nënvizoi kompania ajrore.

Policia gjermane theksoi se nuk kishte gjetur asnjë lëndë plasëse në përfundim të kontrollit.

Pasagjerët janë transferuar në një avion tjetër.

SHKARKO APP