Gjermani – BE përgatit listën e zezë të Bjellorusisë ndërkohë që OSBE propozon ndërmjetësim

Bashkimi Europian pranoi vendosjen e sanksioneve për 20 zyrtarë bjellorusë të dyshuar për mashtrim zgjedhor dhe për shtypje të manifestuesve dhe ka të ngjarë të përfshijë në një moment të caktuar edhe presidentin Alexander Loukachenko në këtë listë, deklaruan ministrat e Punëve të Jashtme të BE-së gjatë një takimi në Berlin.

Në Vjenë, Organizata pë Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, propozoi të merrte rolin e  ndërmjetësuesit ndërmjet dy palëve në Bjellorusi dhe kryetari i saj Edi Rama u angazhua të mos ndërhyjë në çështjet e brendshme,  duke nënvizuar në të njëjtën kohë që shkelja e të drejtave të njeriut duhet të marrë fund.

Presidenti autoritar bjellorus i cili e mban këtë post prej 26 vitesh është përballur që prej disa javësh me protesta që prej rizgjedhjes së tij për një mandat të gjashtë më 9 gusht me 80% të votave.

Opozita konfirmon se zgjedhjet janë manipuluar dhe BE, ndër të tjera, kundërshton rezultatet.

Gjatë katër ditëve të para të manifestimeve që po vijojnë, forcat e sigurisë bjelloruse kanë arrestuar rreth 7 000 persona dhe kanë plagosur qindra të tjerë me plumba gome dhe granada. Të paktën tre manifestues kanë humbur jetën. Rreth 180 persona janë arrestuar gjatë manifestimeve të djeshme.

“Ne kemi arritur një marrëveshje në vija të përgjithshme se si do të strukturohet lista dhe kush do të përfshihet  pak a shumë në këtë listë.  Sidoqoftë, teknikalitet  ligjore në finalizimin  listës nuk do të përfundojnë për të paktën edhe një javë,»  theksoi për gazetarët ministri i Jashtëm i Republikës Çeke Tomas Petricek.

I pyetur nëse presidenti i Bjellorusisë do të goditet nga një urdhër që e ndalon të udhëtojë dhe ngrirje të aseteve, Petricek theksoi se besonte që Lukashenko do të bënte pjesë në këtë listë.

Pyetja është nëse në fazën e parë, apo në një fazë të mëvonshme nëse nuk ka ndonjë ndryshim për mirë të situatës. “

Ministri lituanez i Punëve të Jashtme, Linas Linkevicius theksoi se Lukashenko duhet të jetë në këtë listë tashmë, por ai pranoi se mund të ketë “arsye taktike” për të penguar drejtuesin bjellorus. Lituania kishte paraqitur listën e saj të 118 zyrtarëve.

Disa vende preferojnë një qasje graduale që do të rrisë presionin duke shtuar më shumë emra në mënyrë progresive nëse Lukashenko nuk arrin të hyjë në bisedime me opozitën.

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi dje se ishte i gatshëm të dërgonte policinë në Bjellorusi nëse protestat atje kthehen të dhunshme, por për momentin nuk e sheh të nevojshme.

Linkevicius tha se “ne nuk mund ta përjashtojmë këtë pushtim”, dhe se BE-ja gjithashtu duhet t’i dërgojë një paralajmërim të qartë Rusisë.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se ajo kishte theksuar rëndësinë e sovranitetit të Bjellorusisë në një telefonatë të fundit me Putin.

“Shpresoj që një hap i tillë të mos ndërrmeret”, theksoi ajo për gazetarët në Berlin.

Merkel theksoi se ishte përpjekur gjithashtu të zhvillonte një bisedë telefonike me Lukashenkon, por ai kishte refuzuar të fliste me të deri tani.

BE ka mbështetur propozimet e OSBE-së për të promovuar dialogun në Bjellorusi, një prej 57 vendeve anëtare të organizatës dhe deklaroi se ishte e gatshme për të dhënë një asistencë në këtë drejtim.

Në një takim të veçantë për situatën në Bjellorusi në Vjenë, kryeministri shqiptar Edi Rama, prezantoi argumentet në emër të organizatës për të ndihmuar në lehtësimin e bisedimeve mes Lukashenkos dhe opozitës.

“Që vendi të ecë përpara në siguri të plotë dhe sa më i sigurt të jetë e mundur duhet një mirëkuptim i përbashkët dhe një bashkëpunim reciprok brenda Bjellorusisë”, theksoi Rama.

“Dhe ne duhet të ndihmojmë në realizimin e kësaj”, shtoi ai.

Ai nënvizoi se nëse dëshirojmë të luajmë një rol konstruktiv, nuk na takon të mbajmë anë dhe  OSBE-ja duhet të ofrojë këshillim të paanshëm si palë e  tretë.

Por në të njëjtën kohë, ai vuri në dukje kufizimet për gazetarët si dhe plagosjet dhe humbjet e jetëve mes  manifestuesve gjatë sulmit qeveritar duke konfirmuar se gjendja është pak të thuash e tmerrshme.

“Bjellorusia është këtu, me ne, si një mik, por miqtë duhet t’i kujtojnë njëri-tjetrit të vërtetat e rëndësishme, dhe autoritetet në Minsk duhet ta dëgjojnë këtë”, theksoi ai.

“OSBE-ja është themeluar mbi bazen e parime që garantojnë respektimin e plotë të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut … Nuk mund të ketë nëse apo por për këtë çështje. Këto janë parime dhe si të tilla ato duhet të mbështeten”, shtoi Rama/ ATSH.

SHKARKO APP